Gjendja aktuale në veriun e Kosovës vlerësohet të jetë e qetë dhe gjatë natës së kaluar thuhet se nuk është shënuar ndonjë incident domethënës. Ndërkaq, pjesëtarët e KFOR-it kanë bllokuar të hënën në fshatin Izvore, 20 kilometra larg Zveçanit qarkullimin në rrugën Banjska-Novi Pazar, për çka serbët e komunave paralele kanë organizuar protesta.
Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se situata e sigurisë në veriun e Kosovës mbetet e ndjeshme por ajo nuk është e rrezikuar.
“Nata ka kaluar e qetë, pa incidente madhore, të cilat, në çfarëdo lloj forme, do ta rrezikonin sigurinë e përgjithshme në rajonin e Mitrovicës, e në veçanti edhe në komunat më veriore të Kosovës. Ndërkaq, bllokada e vetme, e cila vazhdon të qëndrojë në rrugë, është kjo e pjesës në magjistralen Mitrovicë – Leposaviq, përkatësisht në fshatin Rudare, me ç’rast vetëm një shirit i rrugës është i bllokuar, megjithëse, qarkullimi rrugor zhvillohet pa pengesa. Situata konsiderohet e qetë, pa incidente, të cilat, në çfarëdo lloj forme do ta rrezikonin sigurinë e përgjithshme”, ka thënë ai.
Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë raportuar se gjatë fundjavës që shkoi ka pasur incidente, siç i kanë cilësuar ata, të vogla, për shkak të bllokimit të rrugëve dytësore që lidhin fshatrat e komunës së Zveqanit. Këto rrugë, sipas zyrtarëve të policisë, konsiderohet se janë përdorur si rrugë anësore për kontrabandimin e mallrave.
Trupat e KFOR-it kanë vënë pikat e kontrollit në ato rrugë për të parandaluar veprimet e jashtëligjshme, gjë që, ka nxitur banorët lokalë serbë të bllokojnë rrugët në mënyrë që ta pengojnë veprimin e KFOR-it.
Në orët e pasdites, rrugët janë liruar tërësisht, thonë zyrtarët e Policisë së Kosovës. Zëdhënësi Hoti thotë se nuk ka indikacione se siguria mund të rrezikohet.
Në anën tjetër, njëri prej liderëve të serbëve që jetojnë në veri të Kosovës, Branko Ninic, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se situata në veri të Kosovës është e qetë, por e tensionuar, e që megjithëkëtë, ai ka theksuar se serbët po përpiqen që t’iu ikin situatave konfrontuese.
Sidoqoftë, forcat e KFOR-it vazhdojnë të qëndrojnë në rrugët anësore, të cilat lidhin fshatrat e komunave në veri të Kosovës, duke mos lejuar futjen e mallrave të kontrabanduara serbe në territorin e Kosovës.
Ndërkaq, pjesëtarët e KFOR-it kanë bllokuar të hënën në fshatin Izvore, 20 kilometra larg Zveçanit qarkullimin në rrugën Banjska-Novi Pazar, për çka serbët e komunave paralele kanë organizuar protesta.
“Nuk ka sot qarkullim të automjeteve të udhëtarëve e as kalim të mallrave komerciale me makina deri në 3,5 tonë. Eventualisht ndonjë këmbësor mund ta kalojë kalimin përmes telave gjembor dhe të ushtarëve të KFOR-it të armatosur deri në dhëmbë”, ka thënë për “Beta”, i ashtuquajtur kryetar i komunës së Zveçanit, Dragisa Milovic, për të shtuar se protestat do të nisin të martën, ku do të kërkohet nga Beogradi që të shpjegohet se çka në të vërtetë janë marrë vesh në Bruksel. /Telegrafi/