Serbia ka shfaqur keqardhje për familjen e policit shqiptar të vrarë në veri të Kosovës, por gjesti “i keqardhjes” vjen në mes të fjalëve të ashpra për të ardhmen e rajonit të diskutueshëm, kurse nuk fshehin qëllimin që veriun ta ndajnë nga jugu i Kosovës.
“Ne dënojmë ashpër këtë krim, sepse është humbur një jetë njeriu dhe ne nuk mund të mbështesim në asnjë mënyrë diçka që është vepër kriminale. E di që ka njerëz në Kosovë që e besojnë këtë (që Beogradi ka urdhëruar vrasjen), por nuk është rasti i tillë. Askush nuk ka dhënë një urdhër të tillë”, tha Borko Stefanovic, shef i delegacionit serb në bisedime me Kosovën, përmes telefonit për “Euobserver”, raporton Express.
“Pikëllimi dhe dhimbja e familjes është e padiskutueshme. Ne do të bëjmë gjithçka për të zbuluar se kush e ka bërë këtë. Na vjen keq për humbjen e një jete të njeriut. Mendoj se kjo ishte një tragjedi”, tha Stefanovic.
Fjalët e ngushëllimit janë të parat të këtij lloji që nga lufta e Kosovës të vitit 1998-1999, që vijnë nga një zyrtar i Beogradit.
Këto fjalë vijnë pasi që Enver Zymberi, polic shqiptar i Kosovës që ishte dërguar në korrik në një mision në veri të Kosovës të kontrolluar nga serbët, ishte qëlluar për vdekje nga një snajper. Zyrtarët nga të gjitha anët fajësojnë krimin e organizuar. Por javën e kaluar babai i Enver Zymberit tha publikisht se ai beson që Serbia ka urdhëruar vrasjen për të përjetësuar ndarjet.
Ngushëllimi vjen po ashtu në mes të shprehjes së Serbisë për të marrë statusin e kandidatit për BE në vjeshtë. Shtetet anëtare të BE-së që kanë njohur Kosovën i kanë thënë Beogradit që procesi nuk do të vazhdojë tutje, derisa nuk do të ketë një zgjidhje të përhershme për “konfliktin e ngrirë” në veri të Kosovës.
Stefanovic tha se territori, i cili është gati 20 për qind e territorit të Kosovës dhe përmban ujë dhe pasuri minerale, duhet të ndahet nga jugu.
“Ekzistojnë shumë ide. Duke filluar nga ndarja e Kosovës, pastaj status special (për veriun e Kosovës), autonomi dhe forma tjera. Të gjitha idetë janë të arsyeshme dhe duhet të jenë në tavolinë. Janë mijëra serbë që nuk dëshirojnë të jetojnë nën qeverisjen e shqiptarëve të Kosovës dhe ky realitet duhet të respektohet, ashtu si realiteti që 1.6 milionë shqiptarë të Kosovës nuk dëshirojnë të jetojnë në Serbi”, tha Stefanovic. /Telegrafi/