Në Kosovë gjykatësit ngurrojnë t’i gjykojnë politikanët. Këtë e argumenton më së miri refuzimi i gjykatësve vendorë për të gjykuar lëndën, ku i akuzuar është kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ai, muaj më parë, është paditur për shpifje nga deputeti i “Vetëvendosjes”, Florin Krasniqi, por lënda ka mbetur në proces si pasojë e hezitimit të gjykatësve të Gjykatës Komunale të Prishtinës për t’u marrë me të.
Krasniqi ka deklaruar për “Kohën Ditore” se gjyqtarët kanë refuzuar të merren me këtë lëndë dhe për pasojë është kërkuar që ajo të hidhet me short.
“Ata kanë kërkuar që lënda të gjykohet nga EULEX-i dhe për pasojë unë jam ftuar në fillim të muajit korrik në Gjykatë. Por, lënda nuk është gjykuar përsëri, sepse EULEX-i e ka kthyer prapa lëndën, duke kërkuar që ajo të gjykohet nga gjykatës vendorë, meqë është lëndë për shpifje, e jo për krime apo korrupsion”, ka deklaruar Krasniqi.
Këtë e ka konfirmuar edhe raporti i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED). Në raport thuhet se kryeministri Thaçi ishte paditur privatisht për shpifje dhe zbulim të rrethanave personale dhe familjare nga deputeti i “Vetëvendosjes”, Florin Krasniqi. Mirëpo, gjykatësja e lëndës, Anita Krasniqi-Prenaj ka kërkuar që lënda të gjykohet nga gjykatësit ndërkombëtarë të EULEX-it me arsyetimin se aktorët kryesorë të kësaj çështjeje penale janë persona me funksion të lartë politik në Kosovë.
Në raport thuhet se për gjykimin e kësaj lënde Gjykata Komunale në Prishtinë ka mbajtur mbledhje të kolegjiumit të gjykatësve, ku sërish ka munguar guximi për të gjykuar. Sipas raportit, pas kësaj mbledhjeje u.d. e kryetares së kësaj gjykate, Makifete Saliuka, i ka kërkuar EULEX-it që ta marrë lëndën në shqyrtim, duke dhënë të njëjtat arsye sikurse gjykatësja Krasniqi-Prenaj.
“Kjo dëshmon për një situatë ku parimet e së drejtës nuk zbatohen në mënyrë të barabartë nga arbitrat vendorë. Ndërsa, fenomeni është aq i përhapur sa që gjykatat kanë filluar që lëndët t’i ndajnë me short e jo me radhë apo me ndonjë sistem tjetër të punës”, ka thënë Betim Musliu, hulumtues në KIPRED. /Telegrafi/