Thaçi e ka hetuar Të jesh me hetuesit apo me të
hetuarit? Kjo është çështja sot. Në fakt, kjo ishte çështja dje. Thaçi
po e ndërron anën
Nga Albin KurtiI nxori para kamerave kryeprokurorin, Ministrin e Punëve të Brendshme
dhe shefin e policisë. Në ditën e parë të javës dhe të nesërmen e
zgjedhjeve të Serbisë që u mbajtën në Mitrovicë dhe Artanë. Por, kjo
konferencë shtypi s’kishte lidhje me zgjedhjet e Serbisë. Kryeministri,
Hashim Thaçi, sikurse edhe krerët e tjerë të institucioneve, Kosovën
tashmë e trajtojnë si Kosovë pa veriun e madje edhe pa komunat me
shumicë serbe. Natyrisht që nuk e thonë këtë, por kështu bëjnë – atëherë
kur veprojnë dhe atëherë kur nuk veprojnë.
As 24 orë nuk kishin kaluar prejse Serbia publikisht e kishte
konfirmuar sovranitetin e saj brenda territorit të Kosovës. Pse duhej
që kryeministri Thaçi mu në atë konferencë të na rrëfente për sigurinë
publike në terma të luftës kundër korrupsionit kur momenti ishte të
merrej me sigurinë shtetërore në terma të luftës për sovranitet e
integritet territorial? Shmangia e vëmendjes së qytetarëve nga shteti i
nëpërkëmbur te pretendimet për pushtet efikas nuk janë shpjegim i
mjaftueshëm.
Përgjithësisht, kryeministri Hashim Thaçi nuk shpjegon gjë. Prandaj,
vetë atë duhet ta shpjegojmë. Zotimi i përsëritur i tij për luftimin e
korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk mund të përbënte lajm.
Intonacioni i ngritur i retorikës nuk do t’ua mbushte mendjen
gazetarëve. Çfarëdo premtimi i tij për të ardhmen vështirë të merrej
seriozisht prej ndokujt. Prandaj Thaçit i mbetej vetëm e kaluara për të
lansuar lajm. Tha që ky e ka nisur luftën kundër korrupsionit dhe
krimit të organizuar! Dhe, megjithatë, nuk u durua pa u
vetëpërgënjeshtuar – tha që ky është prijës i kësaj lufte. Për aq sa i
ndoqa lajmet, nuk dëgjova të ketë treguar se kur saktësisht e kishte
nisur këtë luftë dhe si.
Rrjedhimisht, lihej të kuptohej që ky e paska filluar luftën para
EULEX-it dhe, meqë s’foli për mënyrat a betejat, mbase ato kishin qenë
sikurse këto të EULEX-it. Por, i vetmi veprim i tij që më kujtohet të
jetë lidhur me luftën kundër korrupsionit është riformatizimi i
kabinetit qeveritar. Shumë e çuditshme, gjithsesi. Sepse kurrë nuk na u
sqarua konkretisht se si na paskan qenë të korruptuar Idriz Vehapi,
Zenun Pajaziti, Alush Gashi, Nekibe Kelmendi dhe Valton Beqiri. Kuptimi i
riformatizimit doli të ishte ajo që mbeti e njëjtë pas tij, ajo që nuk
ndryshoi, e jo ndërrimet e (posteve të) figurave. Ndërkaq, qëllimi i
tij ndodhet përbrenda metodës së vjetër të zëvendësimit: të bëhet diçka
tjetër në vend të asaj që duhet bërë, porse të paketohet ashtu sikurse
ajo që s’është bërë. S’besoj të jetë e rastësishme që Thaçi u detyrua
të na e kumtojë lajmin se ai na e paska nisur luftën kundër
korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai e dinte që ne nuk e dimë këtë
gjë (sic.).
Bërja e luftës kundër korrupsionit përmes bërjes së lajmit për të nuk
e shter domethënien e kësaj konference. Shpallja e vetes si luftëtar i
orëve të para të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
nuk synon, thjesht, legjitimitet nëpërmjet origjinës. Thaçi dëshiron të
na bëjë të besojmë që ai po ndjehet si viktimë. Thaçi, pra, e ka nisur
luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar porse EULEX-i ia
rrëmbeu atij këtë luftë prej dorës dhe, për më tepër, qytetarët e
Kosovës po i duken shumë mosmirënjohës për këtë nismë të tij të
kahershme.
Ndoshta kjo konferencë nuk ka pasur arsye. Ajo mund të jetë shtyrë
thjesht prej ndonjë shkaku. Nga bastisjet që EULEX-i ua bëri zyrave të
MTPT-së më 28 prill 2010, Thaçit i ka mbetur hatri për shkak se ai u
zhvlerësua në sytë e opinionit publik si kryeministër i vendit. Aura e
tij prej politikanit më të fuqishëm u dëmtua pakthyeshëm. Ankesat e tij
të një jave më vonë pse EULEX-i nuk e njoftoi paraprakisht për
bastisjet e kryera, kanë mu këtë kuptim: ai po i qahej EULEX-it pse nuk
u kujdesën që ta evakuonin me fytyrë prej asaj situate. Ai nuk kërkoi
që të pyetej për të fituar. Ai kërkoi që të njoftohej për të shpëtuar.
Pikërisht ky është momenti kur Thaçi iu hodh në përqafim EULEX-it.
Prokurori Johannes van Vreeswijk e kishte kuptuar këtë gjë. Ai e goditi
dhe e poshtëroi Thaçin publikisht ashtu siç bëjnë gangsterët me të
dashurat e tyre lazdrane teksa këto u përgjërohen. Secili realizim
kinematografik i zhanrit Film Noir e ka së paku një skenë të tillë. Meqë
imagjinarja kolektive e qytetarëve të Kosovës për këtë rast kishte
këso strukture, militantët partiakë nëpër kafenetë e Prishtinës si
rrufeja e përhapën lajmin se Johannes van Vreeswijk na qenka
homoseksual. (Ndoshta ai edhe është homoseksual dhe kjo sigurisht që
s’ka rëndësi, porse thashethemet kishin funksion dyfishues: e ribënë
prokurorin simbolikisht ashtu siç ai eventualisht ishte emotivisht dhe
seksualisht.) Përdhunimi i dashnores së lazdruar do të mund të
rikuperohej sadopak vetëm duke e shpallur gangsterin homoseksual.
Gangsteri njëmend e rrahu të dashurën, mirëpo ai, në të vërtetë, s’ka
mundur t’i bëjë gjë asaj, apo jo?
Paradoksi i kryeministrit (Thaçi) është që ai s’bëhej dot
kryeministër pa ia dëshmuar Brukselit që e mirëpret EULEX-in dhe do t’i
bashkërendohet atij (kujto vizitën te Solana në shtator 2007) ndërsa,
në anën tjetër, pikërisht për shkak të kompetencave ekzekutive të
EULEX-it ai s’mund të jetë një kryeministër (normal). Shembull shkollor
i paradoksit të Bertrand Russellit te teoria e bashkësive. Duket që
Thaçi ka menduar që EULEX-i do t’i ketë disa të drejta jonormale të
cilat normalisht që nuk do t’i shfrytëzojë. Mirëpo, nëse shqiptarëve u
jepen të drejta që dihet se nuk do (të mund) t’i shfrytëzojnë për shkak
të politikanëve të shantazhuar (p.sh. moszbatimi jo vetëm në veri i
Kushtetutës), EULEX-it i janë dhënë ato të drejta pikërisht që t’i
shfrytëzojë. Ndoshta Thaçi është nisur prej vetes kur e ka menduar
EULEX-in: institucionet e Kosovës kanë të drejtë t’i pengojë zgjedhjet
në veri, por as që u shkon ndërmend kjo gjë. Ose, ndoshta Thaçi nuk ka
menduar fare – ka vepruar në stihi në stilin: le të bëhem njëherë
kryeministër e mendoj më vonë!
Të jesh me hetuesit apo me të hetuarit? Kjo është çështja sot. Në
fakt, kjo ishte çështja dje. Thaçi po e ndërron anën. Nga kryeministër i
një Qeverie të hetuar siç është tani, aspiron të bëhet hetues (i
kujt?). Kjo tregon që Thaçi po e ndjen se fitues këtu do të dalë
hetuesi andaj e bëri këtë lëvizje në drejtim të fituesit; më parë
preferon që ta ketë koleg hetuesin sesa të hetuarin; dëshiron që
dalëngadalë të distancohet nga Fatmir Limaj dhe t’i hedhet edhe në një
përqafim final EULEX-it. Natyrisht që nuk mund ta bëjë këtë përnjëherë
dhe menjëherë meqenëse do të dekonspirohej, por e bën kështu me ngadalë
dhe pak e nga pak. Ai nuk do që të detyrohet të përgjigjet e të flasë
më si i hetuar por si hetues. Ai nuk dëshiron të tingëllojë më si
Fatmir Limaj por si Johannes van Vreeswijk. E ka hetuar Thaçi që duhet
të jetë me hetuesit. Qofshin ata edhe homoseksualë. E ka hetuar Thaçi.
Nuk e tha kot ai të hënën që ‘bashkëpunimi me EULEX-in dhe mekanizmat e
tjerë do të jetë i ngushtë dhe mbështetës