EULEX-i thuhet se ka lajmëruar shefin e ekipit negociator serb për bisedime me Prishtinën, Borko Stefanovic, dhe të ashtuquajturin ministër për Kosovën, Goran Bogdanovic, se në veri të Kosovës nuk do të ketë kthim të gjendjes para 25 korrikut dhe se pas 16 shtatorit do të vihet kontrolli doganor.
Sipas këtij plani, pos EULEX-it aty do të jetë e pranishme edhe Policia dhe Dogana e Kosovës.
“Kjo duhet ndaluar. Nëse ndodhë kjo, do të kemi probleme. Qytetarët do të organizojnë rezistencë të qetë qytetare, e cila do të jetë në kornizat e paqes, bashkimit dhe unitetit”, ka thënë Stefanovic për “Blic”.
Ai ka thënë se Serbia nuk mund të pajtohet me atë që “është ide e vetëm një pale”.
“Propozimi ynë është që për veriun dhe kalimet të flasim gjatë dialogut. Çdo ditë mundohemi që këtë zhvillim ta pamundësojmë. Nuk kemi asgjë kundër EULEX-it, sepse angazhimi i tyre deri tash nuk ishte problematik, por në qëndrimin e tyre është një tepricë – doganierët kosovarë, të cilët nuk janë rezultat i dialogut”.
Sipas planit të EULEX-it dhe pushtetit në Kosovë, dogana do të vendoset vetëm në Bërnjak, përderisa Jarinje do të jetë e hapur vetëm për transportin publik, meqë pas djegies nuk ka kushte teknike për kontroll të mallrave. Përmes Bërnjakut do të mund të kalojë malli i akcizës. Kontrolli do të jetë i plotë, që do të thotë jo vetëm sasia dhe kualiteti por edhe dokumentacioni përcjellës dhe kushtet sanitare, inspektimi veterinar, dhe të gjitha hetime tjera doganore.
“Ne duam raporte partneriteti, por nuk mund të pranojmë që EULEX të jetë ai që do të transportojë doganierët e Kosovës dhe të vihet në anën e Prishtinës. Ua kemi bërë me dije se nuk ta pranojmë këtë”, ka thënë Bogdanovic për “Blic”.
Ai shton se ka folur me përfaqësuesit e komunave ilegale të veriut të Kosovës dhe se i ka paralajmëruar për planin e EULEX-it, për të cilin thotë se “kanë marrë pjesë EULEX-i, KFOR-i, e serbët askush nuk i ka ftuar”.
Një qytetar i Zubin-Potokut, i cili ka dashur të jetë anonim, ka thënë për “Blic” se serbët atje “kurrë nuk do ta pranojnë Policinë e Kosovës”.
“I kemi përforcuar kujdestaritë, na duhet vetëm 10 minuta t’i kthejmë barrikadat dhe kjo do të ndodhë nëse EULEX-i dhe shqiptarët nuk e ndryshojnë planin”, ka thënë ai. /Telegrafi/