Qeveria e Kosovës po e sheh 16 shtatorin datën më optimale për të nisur përpjekjen për rikthim të kontrollit doganor dhe policor në pikat kufitare 1 në Jarinjë dhe 31 në Bërnjakë konform marrëveshjes së arritur ditë më parë në Bruksel për heqjen e embargos tregtare mes Kosovës dhe Serbisë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka konfirmuar për Kohën Ditore se Qeveria e Kosovës bashkë me mekanizma ndërkombëtarë në vend janë afër finalizimit të planit operativ dhe se është duke u punuar në atë drejtim që zbatimi i tij të nisë javën që vjen.
“Ne kemi përgatitur një plan operacional, i cili është plan shumë konkret që është diskutuar edhe me partnerët ndërkombëtarë dhe besoj që ky plan tani do të implementohet”, ka thënë Kuçi. “Unë besoj që po punohet në këtë drejtim dhe zbatimi i planit do të ndodhë sa të krijohen kushtet. Data 16 shtator është data më e mirë e mundur, por do t’i analizojmë të gjitha rrethanat”, ka thënë ai.
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë më 2 shtator në Bruksel kanë arritur marrëveshje për vulat doganore dhe kadastrën, çka për pasojë embargoja tregtare e vendosur më herët është hequr. Meqë në bazë të një marrëveshjeje të arritur më herët mes KFOR-it, Prishtinës dhe Beogradit, NATO-ja do t’i ruajë pikat kufitare deri më 15 shtator, kontrolli në pikat doganore në veri të vendit duhet të kalojë tek autoritetet adekuate.
Zëvendëskryeministri i Kosovës ka thënë që Qeveria e Kosovës të jetë e vetëdijshme për vështirësinë e rimarrjes së kontrollit në veri, porse ai ka shprehur bindjen se diçka e tillë megjithëkëtë ka për të ndodhur.
Kuçi, ka pasur përgjigje të dielën për qëndrimin e Qeverisë së Serbisë, e cila i ka dënuar të shtunën deklaratat e Qeverisë së Kosovës me të cilat Prishtina ka paralajmëruar përdorim të forcës në veri më 16 shtator ashtu siç ishte bërë më 25 korrik.
“Serbia nuk pyetet për territorin tonë, ai është një shtet fqinj dhe ne atë e ftojmë që të mos përzihet në punët e brendshme të Kosovës dhe të mos bëjë një mënyrë agresion”, ka thënë Kuçi. /Telegrafi/