Policia e Kosovës është duke përgatitur një metodologji të re, e cila parasheh prani më të madhe policore në terren, ndarjen sektoriale, patrullimin në këmbë dhe mënyra tjera të veprimit.
Zyrtarët e lartë të policisë tanimë e kanë hartuar draftin, i cili parasheh zvogëlimin maksimal të njësiteve administrative policore dhe shfrytëzimin e tyre në terren.
Për parandalimin e kriminalitetit në Kosovë, zëvendës drejtori i përgjithshëm për operativë, Shpend Maxhuni tha se reformat kanë filluar me aplikimin e një qasjeje pro-aktive, që simbolikisht nënkupton “djersitjen” e policëve në terren.
Metodologjia e re e punës së Policisë së Kosovës nënkupton që zyrtarët policor të jenë më afër qytetarëve me një qasje pro-aktive”, tha Maxhuni.
“Përmes kësaj, ne kemi menduar që do të ndikojë drejtpersedrejti në parandalimin e krimit. Pra, përmes veprimit pro-aktiv duke qenë më afër qytetarëve”, tha Maxhuni.
Drafti i ri për strukturën organizative, parasheh për 20 për qind më pak njësi organizative. Kjo megjithatë nuk do të nënkuptojë shkurtim të vendeve të punës, por vetëm lëvizje të vendeve të punës. Maxhuni tha se kjo nismë është mirëpritur nga zyrtarët policorë.
“Është mirëpritur nga të gjithë zyrtarët policor, të cilët një kohë të gjatë kanë punuar në terren. Ne kemi arritur që në këtë fazë t’i identiofikojmë një numër të konsideruar të zyrtarëve policorë që kanë qenë të ngarkuar me detyra administartive”, ka shtuar Maxhuni.
Ristrukturimi parasheh daljen e policëve nga zyrat në terren dhe sipas Maxhunit është një ekonomizim i burimeve të Policisë.
“Ne, si menaxher, përmes metodologjisë së re të punës do të kemi mundësi të shohim se cilat janë anët pozitive dhe negative të kësaj metodologjie të re. Në të kaluarën njësitë tona operacionale janë përgjigjur me vetura, por, tani ato do të patrullojnë në këmbë. Mbi të gjitha do të ketë ekonomizimin e resurseve tona”, thotë Maxhuni.
Eksperti për çështje të sigurisë, Ramadan Qehaja e mbështetë nismën për zvogëlim të këtyre njësiteve dhe vlerëson se reformat brenda policisë janë të domosdoshme.
“Unë mendoj se po, administrata duhet të zvogëlohet, bile bile, nëse doni ta dini, unë po të isha në pozitë do t’i reduktoja edhe disa në MPB, sepse punët duplifikohen e jepen para bëhen harxhime”, ka thotë Qehaja.
Sipas Qehajës, nevojitet një përsosje dhe ngritje e nivelit të njësiteve kadrovike policore me qëllim që Kosova të ketë një polici sa më funksionale që do t’u shërbejë qytetarëve të vendit. Prandaj, paanshmërisë duhet t’i kushtohet një përkushtim i vecantë, vlerësoi Qehaja.
Vlerësimet e përgjithshme do të vazhdojnë edhe në të ardhmen brenda policisë. Gjithashtu reformë është paraparë edhe për policinë në komunitet, metodë e cila është aplikuar që nga themelimi i Policisë së Kosovës.
Të gjithë ata zyrtarë policorë që janë marrë më detyra të caktuara gjatë policimit në Komunitet, tani e tutje, sipas metodologjisë së re, ata do të merren me të gjitha detyrat policore. /RTK/