Kur Albin Kurti të protestojë në të ardhmen, do të mund të përfundojë i arrestuar dhe i burgosur në kazermën “Adem Jashari” të Forcës së Sigurisë të Kosovës. Kjo do të jetë krejt e mundshme nëse hyn në fuqi një memorandum mirëkuptimi që e kanë përgatitur Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e FSK-së, e që pritet të nënshkruhet nga ministrat përkatës, Bajram Rexhepi e Agim Çeku.
Memorandumi i çuditshëm, një draftkopje të të cilit e ka siguruar “Koha Ditore”, synon që të obligojë Forcën e Sigurisë të Kosovës që të ndihmojë Qeverinë, gjegjësisht Ministrinë e Punëve të Brendshme në “aktivitetet për realizimin e misionit të saj”.
Sipas memorandumit, Forca e Sigurisë e Kosovës do të angazhohet edhe në “arrestimin e delikuentëve dhe mbajtjen e tyre derisa t’i dorëzohen policisë”, por edhe për “menaxhimin e situatave që dalin jashtë kontrollit”, dhe “kontrollimin e turmave në rrugë dhe në tubime”.
Kështu, ende pa e shpallur ushtri, marrëveshja pretendon t’i japë FSK-së kompetenca që si forcë aktuale, por edhe si ushtri e ardhshme, të vërë kontrollin në rast të protestave.
Nëse ushtria e ardhshme e Kosovës do të vlerësonte dikë si delikuent, do të ketë të drejtën, sipas kësaj marrëveshjeje, që ta arrestojë të dyshuarin dhe ta mbajë atë derisa t’ia dorëzojë policisë. Memorandumi do t`i japë FSK-së kompetenca policore, përderisa forca ende nuk e ka kryer as procesin e arritjes së kapaciteteve të plota dhe pavarësimit nga KFOR-i, në mënyrë që të zyrtarizohet si ushtri e Republikës.
E ushtria, në kontrollimin e turmave që protestojnë, apo edhe në disa kompetenca të tjera që memorandumi e obligon FSK-në, nuk përdoret në vendet demokratike.
Turqia njihet si vend ku ushtria e ka këtë kompetencë. Por vendi që kryeministri Thaçi e ka vizituar shpesh së fundi, e ka të ndryshëm rregullimin kushtetues. Atje ushtria është më e fuqishme se çdo institucion, dhe kryeministri turk, Erdogan, nuk mund ta kontrollojë atë. Rastet ekstreme të përdorimit të ushtrisë për të shtypur protestuesit mund të gjenden në Egjipt, Siri apo Libi, por jo edhe në vendet demokratike.
Në çdo vend demokratik, çfarë Kosova pretendon të jetë, përdorimi i ushtrisë bëhet vetëm në raste të jashtëzakonshme, kur vlerësohet se është sulmuar shteti nga jashtë. Por angazhimi i ushtrisë në SHBA, apo në vendet tjera demokratike, nuk bëhet nëpërmjet një memorandumi të ministrive përkatëse. Angazhimi i ushtrisë bëhet vetëm me urdhër të njësisë më të lartë vendimmarrëse për sigurinë, e që në rastin e Kosovës është Këshilli Kombëtar i Sigurisë, ose Kuvendi i Kosovës. /Telegrafi/