Prishtinë, 8 qershor - Incidenti i shkaktuar në ndeshjen finale të Kupës së Kosovës të dielën në Prishtinë ndërmjet Vëllaznimit e Lirisë nuk kaloi pa lëndime. Një pjesëtar i Policisë së Kosovës ka marrë lëndime nga tifozët gjakovarë gjatë intervenimit për të qetësuar masën, ndërkohë edhe disa prej tifozëve gjakovarë pësuan lëndime. Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Sabrije Kamberi, ka pohuar të hënën se të gjithë të lënduarit kanë marrë ndihmën e parë në Emergjencën e Prishtinë. Ajo nuk ka njoftuar për ndonjë të arrestuar.
"Ndeshja finale e Kupës se Kosovës ndërmjet Vëllaznimit dhe Lirisë përfundoi me ekses. Disa shikues dhe një zyrtar i Policisë kanë marrë lëndime, me ç'rast edhe janë dërguar në Emergjencën e Prishtinës. Situata është vënë nën kontroll, pasi reagoi policia në mënyrë të rregullt. Nuk ka të arrestuar për këtë rast. Pas përfundimit të ndeshjes gjithçka shkoi në mënyrë të rregullt. Ne do të bëjmë hetime për incidentin e shkaktuar në stadium", ka thënë Kamberi.
Situata doli jashtë kontrollit në fillim të shtesës së parë, ku edhe u shkaktua një incident goxha i madh në tribuna, ku ishin të vendosur tifozët gjakovarë, për çka ndeshja u ndërpre plot 15 minuta, derisa policia intervenoi dhe zbrazi tribunën lindore ku ishin të vendosur përkrahësit e Vëllaznimit. Gjatë kësaj tollovie pati edhe shkulje të ulëseve në stadium, si dhe rrahje pranë dyerve të stadiumit.
Sekretari i tifozërisë "Kuqezinjtë e Jakovës”, Hekuran Dula, pohon se e gjithë kjo është nisur shumë para ndeshjes, kur adhuruesit e Vëllaznimit janë sulmuar në një kafiteri të Prishtinës. Sipas tij, sulmuesit i përkisnin grupit të tifozëve "Plisat" nga Prishtina.
"Kemi qenë të organizuar mirë, pasi nuk na interesonte të fitojmë, por vetëm dëshiruam të bëjmë atmosferë të mirë dhe të kthehemi në shtëpi pa bërë ndonjë ekses. Por, para takimit në një kafiteri ku pronarët janë gjakovarë ndodhi një përleshje, ku disa 'Plisa' sulmuan tifozët e Vëllaznimit që ishin mbledhur aty dhe me këtë rast bën edhe dëme në kafiteri", ka shpjeguar Dula fillin e këtij incidenti. "Më pas disa pjesëtarë të 'Plisave' erdhën edhe në stadium dhe përkrahën tifozët prizrenas dhe na provokuan edhe neve. Pasi pamë që ‘Plisat’ janë aty disa nga tifozët tanë i shkulën flamujt e klubit Prishtina dhe kështu edhe nisi e gjithë ajo që ndodhi më pas".
Sekretari i "kuqezinjve", Dula, ka akuzuar edhe policët për ndërhyrje të pakontrolluar dhe për dëbim nga stadiumi.
Akuzat e Dulës se "Plisat" ishin të përfshirë në këtë incident janë mohuar nga kryetari i tifozëve "Plisat", Sami Dili.
"Nuk është e vërtetë që ‘Plisat’ janë përleshur me tifozët e Vëllaznimit. Rasti që ka ndodhur në kafiteri ka qenë ndërmjet disa qytetarëve të Prishtinës dhe tifozëve gjakovarë, e jo 'Plisave'. Ndërkohë, në tribunën perëndimore ku ishin të vendosur tifozët e Lirisë kanë qenë rreth 30 'Plisa' dhe ata vetëm e kanë përcjellë ndeshjen dhe kanë brohoritur 'Prishtina, Plisat'. Ata nuk kanë sulmuar askënd. Reagimi i vetëm i këtyre tifozëve ka qenë në momentin e heqjes së flamujve tonë", ka thënë Dili.
Në Federatën e Futbollit të Kosovës thuhet se ky rast është marrë shumë seriozisht. Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, thotë se raste të tilla ndodhin në gjithë botë. Sipas tij, fillimisht duhet pritur Komisionin e Garave për të mbyllur raportin.
"Raste të tilla ndodhin gjithkund në botë, por në këtë ndeshje nuk ishte dashur të ndodhte asgjë, pasi nuk kanë pasur ndonjë arsye për t'u rebeluar ashtu. Komisioni i garave pritet ta mbyllë raportin e ndeshjes e më pas edhe do të hapë procedurë disiplinore", ka pohuar Salihu.
Prishtina kërkon kompensim për dëmet
Klubi i futbollit Prishtina kërkon që FFK-ja të marrë përsipër dëmet e shkaktuara në stadium nga tifozëve gjakovarë, pasi ajo edhe ishte organizatore e Kupës së Kosovës.
Anëtari i Bordit të Prishtinës, Naser Hyseni, thotë se ajo çka ndodhi në Stadiumin e Prishtinës i takon Federatës së Futbollit të Kosovës.
"Nuk i kemi bërë ende llogaritë për dëmet që janë shkaktuar gjatë ndeshjes për Kupë, por ne kërkojmë që Federata të merret me këtë çështje, pasi ajo ka qenë organizatore e finales", ka thënë Hyseni.