Johannesburg, 21 qershor - Botërori i futbollit është plot tradhtarë. Ngjarja më e madhe sportive është e mbushur me "agjentë të dyfishtë", dhe këtë e ka vërejtur edhe kapiteni i Francës, Patrice Evra.
Evra është alarmuar pasi ka dalë nga dikush në shesh konfrontimi mes sulmuesit Nicolas Anelka dhe trajnerit Raymond Domenech. Anelka e kishte fyer Domenechun gjatë pushimit mes dy pjesëlojëve në ndeshjen e së enjtes, të cilën e humbi Franca nga Meksika 0:2.
"Problemi i Francës nuk është Anelka, por tradhtari që gjendet në mesin tonë. Duhet ta eliminojmë tradhtarin nga grupi, pasi ai dëshiron ta dëmtojë skuadrën. Këto gjëra kanë dalë nga dikush që gjendet brenda në skuadër dhe që dëshiron të na dëmtojë. Nuk do të gënjejmë, gazetari nga 'L'Equipe' nuk e ka shpikur atë gjë. Unë nuk e di se cili ka folur, pasi nuk jam magjistar", ka thënë Evra për "Goal.com".
Evra ndoshta nuk është magjistar, por nuk do të dorëzohet derisa ta eliminojë tradhtarin. Ai synon t’i evitojë problemet në skuadër. Franca në dy ndeshjet e para të Botërorit 2010 ka fituar vetëm një pikë. I duhet me çdo kusht ta fitojë ndeshjen e tretë të grupit kundër Afrikës së Jugut dhe të shpresojë që në sfidën tjetër të Grupit A, Uruguai e Meksika të mos luajë baras.
Franca nuk është përfaqësuesja e vetme që po ankohet nga tradhtarët. Edhe japonezët dyshojnë se kanë një tradhtar brenda stafit. Ky dyshim është shfaqur nga trajneri i Japonisë, Takeshi Okada, pasi që skuadra e tij humbi të shtunën në sfidën kundër Holandës 1:0.
"Janë zbuluar detajet nga stërvitja jonë e fshehtë dhe kjo është e patolerueshme. Dua nga lojtarët të tregojnë maturi në këtë pikë", ka thënë trajneri 53-vjeçar për agjencinë AP.
Edhe Japonia e ka ndërmend të nisë hetimet për të zbuluar se cili ishte tradhtari që tregoi fshehtësitë e përfaqësueses. Në rast se zbulohet ai do të ndëshkohet rëndë.
Japonia pas dy ndeshjeve të zhvilluara në Botërorin 2010 ka tri pikë. Duhet së paku të nxjerrë një barazim në sfidën e fundit të grupit kundër Danimarkës për të siguruar 1/8 e finales.