Prishtinë, 25 qershor - Ministri Bajram Rexhepi ka deklaruar të premtën se konsumimi i substancave narkotike është në rritje në hapësirat e shkollave të mesme dhe atyre fillore, ndërsa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka shtuar se kërkohet një përkushtim i vazhdueshëm për rritjaen e vëmendjes për problemin e drogës në shoqërinë tonë ku rol të veëantë duhet të kenë shkollat.
“Adresimi ndaj këtij fenomeni negativ kërkon një bashkëpunim më të gjerë rajonal dhe ndërkombëtarë. Pikërisht në këtë kontekst, dëshiroj të përgëzoj mekanizmat tonë shtetërorë për akcionet e përbashkëta , të koordinuara mirë me mekanizmat shtetërorë të shteteve fqinjë”, theksoi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën kushtuar implementimit të strategjisë dhe planit të veprimit kundër drogave që të premten u organizua nga Ministria e Punëve të Brendshme për të shënuar 26 Qershorin, Ditën ndërkombëtare kundër drogave.
Zyra për komunikim Publik e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se duke folur për bashkëpunimin ndëristitucional, kryeministrri Thaçi ka theksuar se çmon bashkëpunimin e mirë të institucioneve tona vendore dhe të atyre ndërkombëtare, si dhe kontributin e organizatave joqeveritare, ndërsa Ministrinë e Punëve të Brendshme e ka përgëzuar për një koordinim të mirë të tërë procesit për luftimin e kësaj dukurie negative.
Në vazhdim, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi theksoi se luftimi i krimit të organizuar në të gjitha format e tij është prioritet i ministrisë që ai drejton.
“Kosova vazhdimisht ka qenë vend tranzit i trafikimit të narkotikëve, mirëpo kohëve të fundit kemi edhe raste të kultivimit të drogave, konkretisht të kanabisit. Konsumimi i drogës në Kosovë është një fenomen, i cili është në rritje e sipër. Kosova nga një vend tranzit i transportimit të drogës, është bërë vend i konsumimit të narkotikëve”, ka tërhequr vërejtjen ministri Rexhepi.
Ministri Rexhepi ka shtuar se konsumimi i substancave narkotike është në rritje në hapësirat e shkollave të mesme dhe atyre fillore, me fokus të veçantë në shkollat e kryeqytetit. Ai tha se përdorues të drogës, janë kryesisht të rinj të moshës nga 15 deri në 35 vjeç, dhe në këto grupmosha dominon gjinia mashkullore.
Kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, ka theksuar se në kuadër të bashkëpunimit ndërajonal për luftimin e krimit të organizuar edhe të narkotikëve, Prokuroria e Shtetit ka bërë marrëveshje ndërshtetërore me disa shtete të Evropës dhe marrëveshje të këtilla pritet të nënshkruhen edhe me shtete të tjera.