Policia kundër trafikimit me qenie njerëzore, gjatë një aksioni për kontrollimin e lokaleve ku dyshohet se ushtrohet prostitucion, ka arrestuar dy persona, ka mbyllur 31 lokale, si dhe ka identifikuar 26 shtetas të huaj, që qëndronin ilegalisht në Kosovë.
Aksioni policor, i koduar me emrin “Qershori 2010”, ka nisur të enjten në mbrëmje, sipas Planit Operativ të përpiluar nga Drejtoria e Hetimeve të Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe njëkohësisht është zbatuar në tërë territorin e Republikës së Kosovës, bëhen të ditur policia.
“Gjatë këtij aksioni janë arrestuar dy persona të dyshuar, janë mbyllur 31 lokale dhe janë identifikuar 26 persona me qëndrim në Kosovë, pa dokumente valide, të proceduar nga Drejtoria për Migrim dhe te Huaj”.
Në këtë plan, krahas Drejtorisë Kundër Trafikimit dhe 6 sektorëve të saj, kanë qenë të përfshirë edhe Drejtoria e Migrimit dhe të Huajve nga Policia Kufitare, Njësitë Mbështetëse Operative si dhe inspektorët komunalë.
Qëllimi i operacionit ka qenë kontrollimi i lokaleve/bareve në të cilat punonin femra dhe punëtorë te ndryshëm, e që dyshohej se merreshin me trafikim dhe shfrytëzoheshin për prostitucion.
“Plani Operativ ka pasur po ashtu qëllim primar çështjen e parandalimit dhe marrjen e masave proaktive në parandalimin e dukurisë së trafikimit me njerëz, ndërsa Drejtoria për Migrim dhe të Huaj ka bërë verifikimin për çështjen e zbatimit të Ligjit për të Huajt”, thuhet në njoftimin e policisë.
Inspektorët komunalë kanë bërë kontrollime dhe inspektime në baret dhe lokalet, duke u mbështetur edhe në informatat se pronarët e këtyre lokaleve nuk i respektojnë procedurat dhe rregullat ligjore mbi kontratat e punëtorëve, kushtet e punës dhe të sanitarisë. Si rezultat janë mbyllur një numër i konsideruar i lokaleve të kontrolluara.
Më së shumti lokale janë mbyllur në rajonin e Ferizajt, gjithsej 6; në Mitrovicë – 4, nga dy lokale janë mbyllur në Prishtinë, Prizren dhe Pejë, kurse një lokali i është vënë dryni në Gjilan. Gjithsej janë intervistuar 97 punonjëse femra të këtyre lokaleve dhe 258 klientë. /Express/