Në të kaluarën, punëtorët në fushën e shëndetësisë ishin kryesisht mjekë, infermierë dhe specialistë të tjerë shëndetësorë. Por sot në shëndetësi në mbarë botën ka hyrë edhe inxhinieria. Inxhinierët e përfshirë në një varg projektesh nga ngritja e infrastrukturës e deri në prodhimin e pajisjeve mjekësore, po bëhen element thelbësor i peisazhit global të shëndetësisë.
Pajisjet e lira elektronike po e ndryshojnë botën – përfshirë vendet e varfra. Në Afrikë, qeveritë ose kompanitë private po ngrenë antena të telefonisë celulare. Tani, shumë vende në zhvillim kanë mbulim më të gjerë me celularë sesa Shtetet e Bashkuara.
Xhejms Molini, inxhinier nga Instituti Teknologjik i Xhorxhias, i cili verën e kaluar udhëtoi me një taksi nëpër Tanzaninë veriore, rrëfen përvojën e tij:
“U ndalëm për të marrë udhëtarë.... Pamë një luftëtar të moshuar Maasai në petkun e tij të luftës. Ai mbante një rrip lëkure ku kishte vënë hanxharin bashkë me një mbajtëse telefoni për celularin e tij.”
Inxhinieri Molini ishte në Tanzani si një nga 23 vullnetarët e shoqatës jofitimprurëse nga Karolina e Veriut, Inxhinieria e Shëndetësisë Botërore. Kjo është një nga organizatat e pakta joqeveritare që janë themeluar në këto vitet e fundit për të nxitur inxhinierët perëndimorë që të ofrojnë njohurinë dhe përvojën e tyre për vendet në zhvillim.
Ideja për Inxhinierinë e Shëndetësisë Botërore i lindi profesorit Bob Malkin nga Universiteti Duke në vitet 1980, kur po punonte jashtë vendit. Gjatë kësaj kohe, ai vërejti se njerëzit kishin televizorë me ngjyra dhe pajisje të tjera elektronike, por nuk gëzonin kujdes të mirëfilltë shëndetësor. Profesor Malkin është inxhinier biomjekësor. Ai vuri re se një pjesë e problemit në shëndetësi kishte të bënte me pajisjet elektronike që nuk përputheshin me njëra-tjetrën. Nuk u përshtatej voltazhi ose kushtonin shumë shtrenjtë për t’u mirëmbajtur. Kur u kthye në Universitetin Duke, profesor Malkin filloi disa kurse dhe një laborator inxhinierie për të studiuar teknologjinë e përshtatshme për shëndetësinë e vendeve në zhvillim. Dhe studentët kanë vërshuar në programin e tij.
“Jam i bindur se brezi i ri i studentëve është jashtëzakonisht i përkushtuar për të shërbyer. Ata duan të shërbejnë, andaj kemi shumë më shumë kandidatë nga ç’mund të pranojmë.”
Profesori krijoi një organizatë vullnetarësh të quajtur Inxhinieria e Shëndetësisë Botërore.
Adam Kurzrok është student i inxhinierisë mekanike në Universitetin Duke. Verën e kaluar, ai ishte vullnetar me Inxhinierinë e Shëndetësisë Botërore në Tanzani. Pas një trajnimi për riparimin e pajisjeve, vullnetarët u dërguan në spitale rurale për të ndrequr çfarë të mundnin.
“Ndreqëm disa kompjuterë që ishin prishur. Rregulluam autoklava, pompa thithëse, llamba kirurgjike, si dhe një aparat për radiografi dhe një pajisje me ultratinguj...”
Adam Kurzok bashkë me të tjerë mësuan shpejt se arsyeja për gjithë ato aparatura të prishura ishte pasiguria e furnizimit me energji. Ndërprerjet dhe luhatjet e rrymës nganjëherë kanë bërë që doktorët të ndërpresin punën gjatë një operacioni. Dhe karburanti për të përftuar energji me gjenerator ishte shumë i shtrenjtë. Andaj, Adam Kurzok, James Molini dhe vullnetarë të tjerë gjetën një zgjidhje me kosto të ulët që pajisjet mjekësore të vazhdonin punën edhe kur të ndërpritej energjia.
E quajnë Cell Saver. Kjo pajisje e thjeshtë përbëhet nga katër pjesë. Njëra pajisje u krijua enkas për këtë nevojë – një qark elektrik i vogël, rreth 20 centimetra katrorë. Ky qark është i lidhur me pjesën e dytë... një bateri. Zoti Molini thotë se bateri të vjetra mund të gjenden lehtë. Edhe një pjesë tjetër e pajisjes Cell Saver është një njësi e ushqimit elektrik e marrë nga kompjuterë të vjetër, e ngjitur me pajisjen që shndërron energjinë e baterisë në rrymë alternative dhe vë në punë shumicën e pajisjeve.
Zoti Molini thotë se planifikojnë që ta shesin pajisjen Cell Saver për 15 deri në 20 dollarë.
“Me këtë pajisje jo vetëm përmbushim nevojat e komuniteteve që përballen me mungesë të energjisë, por njëherësh ofrojmë edhe zgjidhje për problemin e ndotjes që do të mund të shkaktonin bateritë me acid plumbi.”
Cell Saver fitoi çmimin e dytë në garën e përvitshme të kompanisë Dell për risitë sociale. Vullnetarët Molini dhe Kurzrok po përdorin paratë e fituara nga çmimi për ta nisur një biznes për prodhimin e pajisjeve Cell Saver. Melissa Bierd nga Inxhinieria e Shëndetësisë Botërore thotë se programi është themeluar që të mundësojë arritje të tilla.
“E di që është diçka që do ta mbajnë mend tërë jetën. Fola me njërin prej tyre para pak ditësh dhe më tha se është akoma gjëja më e mirë që e ka bërë ndonjëherë. Prandaj, mendoj se një nga arritjet tona indirekte është që t’i bëjmë studentët tanë qytetarë në shërbim të nevojave të botës.”