Jakup Krasniqi dhe Recep Tayyip Erdogan
Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, priti të enjten në takim kryeministrin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të cilin e dekoroi me Medaljen e Artë të Pavarësisë, dekoratë kjo që iu jepet qytetarëve të Kosovës dhe të huaj, që kanë kontribuar për Pavarësinë e Kosovës.
“Pata nderin që sot ta kem për vizitë kryeministrin e Republikës së Turqisë, z. Erdogan me një delegacion nga kabineti i tij. Kjo vizitë që ka filluar dje dhe është pritur mirë kudo në Kosovë edhe në Prishtinë edhe në Prizren, është një rikonfirmim i fuqishëm i miqësisë që Republika e Turqisë, institucionet e Turqisë, qeveria e Turqisë tregojnë ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj”, tha Krasniqi.
“Turqia ka qenë një nga vendet që më së pari e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008. Turqia gjatë gjithë këtyre viteve ka pasur një prezencë të fortë ushtarake për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, Agjencia për Zhvillim e Turqisë ka investuar gjatë gjithë këtyre viteve në Kosovë, ka edhe investime të tjera, sidomos prezenca dhe pjesëmarrja e fuqishme e biznesmenëve turq, sidomos në ndërtimin e autostradës, në Aeroportin e Prishtinës por edhe në shumë sfera tjera të jetës”, tha Krasniqi duke shtuar se edhe vetë kryeministri Erdogan gjatë këtyre viteve ka lobuar për njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.
Ndërsa kryeministri turk, i cili falënderoi për mikpritjen që i është bërë gjatë këtyre di ditëve, tha se ka shumë gjëra që mund të realizohen midis Turqisë dhe Kosovës. Sipas tij, disa prej tyre tashmë janë realizuar.
“Në fushën ushtarake, ne kemi prezencën e kontingjentit turk në kuadër të KFOR-it dhe kjo është e rëndësishme për qetësinë dhe stabilitetin në Kosovë. Angazhimet tona në këtë drejtim do të vazhdojnë. Ne jemi në solidaritet të plotë si para shpalljes së pavarësisë ashtu edhe pas shpalljes së saj...Në veçanti jemi duke i nxitur biznesmenët tanë për të investuar në Kosovë”.
Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyp Erdogan të enjten paradite u dekorua nga Universiteti i Prishtinës me titullin “Doctor Honoris Cause”, si shenjë mirënjohje për angazhimin e tij rreth Kosovës. Ndërkaq në ditën e parë të vizitës së tij në Kosovë, të mërkurën, ai u dekorua me titullin “Qytetar Nderi” i Prizrenit.