Partia Demokratike e Kosovës (PDK) përmes një komunikate për media, ka akuzuar rëndë anëtarin e ri të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Florim Krasniqi, duke u bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga logjika e rrugës, përmbysjes dhe thirrjeve vëllavrasëse.
“Duke e vlerësuar procesin aktual politik si mjaft të qetë dhe normal dhe shumë shpresëdhënës për demokracinë qytetare të shtetit tonë të ri dhe perspektiven e tij euroatlantike, PDK-ja konsideron se gjuha e ofertave të ideve dhe alternativave tek qytetari nga subjektet politike, si pjesë e ofertës së opsioneve qytetare për zhvillim dhe përmirësim të jetës së tyre, duhet të jetë larg gjuhës së klithjeve majtiste revolucionare, që ndjellin konflikt dhe destabilizim, që tentojnë të instalojnë tek ne, në vend të logjikës së shtetit dhe respektimit të ligjit, logjikën e rrugës, përmbysjes dhe thirrjeve vëllavrasëse”.
“Si reagim ndaj thirrjeve të shpeshtuara për dhunë dhe destabilizm, që artikulohen nga lideri i ‘Vetëvendosjes’ dhe disa elementëve të errët të importuar afër tij, PDK-ja thërret qytetarët dhe gjithë opinion publik të distancohen nga kjo gjuhë dhe veprime të tilla”.
“PDK-ja njofton opinionin publik, se sa u përket disa pretendimeve të ngritura nga një pseudopatriot i parapaguar, që në fillim tentoi të paraqitej tek opinion kosovar në formë manipulimi me gjoja qëndrime zyrtare të shtetit amerikan, për çka Ambasada e SHBA-ve u distancua nga ai, PDK është duke marrë dhe do të merr rrugë ligjore për t’i shkuar të vërtetës deri në fund”, thuhet më tutje në komunikatë.
“Duke qenë si parti qeverisëse dhe duke mos dashur të influencojnë në përshpejtim dhe orientim të investigimeve, PDK ka kërkuar një hetim pa paragjykime për të gjitha akuzat, ku roli i EULEX-it do të jetë parësor. Ky investigim do të konsistojë në hetimin e pistave rreth dyshimeve të bazuara se autori ka dhënë shuma rreth 500,000 dollarë nën siglën e raportit në një gazete, me autor David Philips”.
"Për hir të opinionit publik PDK vlerëson se është e detyruar të ofroj disa njohuri për trumbetuesin e këtij raporti, Florim Krasniqi, një nga liderët e ‘Vetëvendosjes’, i cili në vazhdimësi ka synuar dhe synon të njollos udhëheqësit e luftës për liri dhe të nxis konflikte në vend”.
“Florim Krasniqi gjatë luftës ka rrezikuar procesin e furnizimit të UÇK-së duke u ekspozuar më tepër se sa duke punuar. Bënë pjesë në kuadër të njerëzve që ka dëmtuar imazhin e Kosovës në SHBA, duke qenë në kryetituj të gazetave prestigjioze amerikane...Përpos si kontrabandist armësh ai është i akuzuar për disa raste kriminale të qërimit të hesapeve mes bandave me origjinë nga ish-Jugosllavia në SHBA. Ka një lëndë në gjykatat amerikane lidhur me eliminimin misterioz të kreut të një bande kroate në SHBA”, thuhet në komunikatë.
Florim Krasniqi, sipas PDK-së, ka përfituar dhe dëmtuar asetet e Kosovës pas luftës, duke shantazhuar e më pas përvetësuar me çmime të ulëta disa prona publike gjatë procesit të privatizimit si: gjigantin e Pejës, fabrikën e prodhimit të autopjesëve (Ish Crvena Zastava); Hidrocentralin e Radoniqit, etj.