Mbrojtësi portugez Ricardo Carvalho dhe mesfushori gjerman Mesut Oezil kanë shënuar nga një gol për t'i dhënë fitoren Real Madridit kundër rivales lokale Atleticos. Me këtë fitore skuadra e drejtuar nga trajneri portugez Jose Mourinho ka vazhduar serinë pozitive edhe pas dhjetë javëve në La Liga. Real Madridi mbetet ekipi i vetëm që nuk ka pësuar humbje në këtë edicion, duke regjistruar tetë fitore dhe dy barazime
Madrid, 7 nëntor - Skuadra e Real Madridit ka fituar derbin madrilen dhe derbin e javës së dhjetë në La Liga, pasi mposhti Atletico Madridin me rezultatin 2:0, të dielën mbrëma. Mbrojtësi Ricardo Carvalho (13') dhe mesfushori Mesut Oezil (19') shënuan nga një gol për t'i dhënë fund dilemës së fituesit në këtë derbi. Me këtë fitore Real Madridi ka ruajtur pozitën e parë në tabelë me 26 pikë të tubuara. Njëherësh skuadra madrilene është e vetmja që nuk di për humbje edhe pas javës së dhjetë, duke koleksionuar tetë fitore dhe dy barazime.
Futbollistët e Realit e nisën furishëm takimin dhe ende pa kaluar një çerek ore shënuan gol në portën e gardianit të Atletico Madridit, David De Gea.
Mbrojtësi portugez Carvalho (13') shënon pasi merr top brenda zonës nga mesfushori argjentinas Angel Di Maria. Epërsinë e dyfishoi mesfushori gjerman Oezil (19'). Ai shënoi nga gjuajtja e lirë për ta dërguar skuadrën e tij të qetë në pushimin mes dy pjesëlojëve.
Atletico Madridi kundërpërgjigjet me gjuajtjen e Jose Antonio Reyesit në minutën e 36-të, por Iker Casillas nuk lejoi të befasohet.
Me të nisur pjesëloja e dytë, skuadra e Realit sërish kërcënon e para. Oezil depërton nga krahu i majtë dhe harkon në zonë për Gonzalo Higuainin, që me një volej preku pingulen. Ndodhi kjo në minutën e 47-të.
Futbollistët e Atleticos kanë mundur të ngushtojnë epërsinë në minutën e 61-të, por gjuajtja e sulmuesit uruguajan Diego Forlan qëlloi shtyllën.
Fitore në javën e dhjetë ka shënuar edhe skuadra e Barcelonës, që në udhëtim mposhti Getafen me shifrat 3:1. Me këtë fitore Barça mban pozitën e dytë në tabelë me 25 pikë të mbledhura, një më pak se Reali. Golat për ekipin e Pep Guardiolas i shënuan Lionel Messi (23'), David Villa (34') e Pedro Rodriguez (65'). Për Getafen golin e nderit e realizoi Manu (70') nga penalltia, pasi një minutë më herët nga ndeshja u përjashtua mbrojtësi Gerard Pique që u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.