Gjilan, 13 nëntor - Aty ku para një jave delegatët e Kuvendit të shtatë të Degës së LDK-së në Gjilan, së bashku me Fatmir Rexhepin, i patën duartrokitur Isa Mustafës, duke kërkuar që ai të zgjidhej lider i partisë, këtë të shtunë, në Teatrin e Qytetit, një pjesë e elektoratit të LDK-së, anëtarë dhe simpatizantë të saj i kanë duartrokitur distancimit nga projekti i Isa Mustafës të paraqitur nga ish-deputeti Fatmir Rexhepi. Ai ka thënë se nuk pajtohet me Isa Mustafën dhe lidershipin e tashëm të LDK-së të caktuar nga Mustafa. "Unë nuk e përkrah Isa Mustafën me këtë fasadim dhe maskim, dhe unë duke mos u pajtuar me këtë skenar u tërhoqa nga të gjitha strukturat e LDK-së.
Rexhepi ka nënvizuar se reformat në parti nuk do të ndodhin, unifikimi i fraksioneve nuk do të ndodh, unifikimi me familjen Rugova nuk do të ndodh, unifikimi me AAK-në dhe LDD-në nuk do të ndodhin. Asnjëra nga premtimet dhe reformat e proklamuara të Isa Mustafës nuk do të ndodhin, ka shtuar Rexhepi, sepse ai mendon të bëjë reforma me kundërshtarët e reformës në LDK. Rexhepi ka paralajmëruar se këto zhvillime dhe projekte retorike do ta çojnë LDK-në në zhgënjim.
Ai ka thënë se delegatët e LDK-së në Gjilan i duatrokitën projektit të Mustafës, sepse këto ishin edhe kërkesa të elektoratit të Degës së LDK-së në Gjilan, por ku mbetën kërkesat për ndryshime, ka pyetur Rexhepi në formë qortimi ndaj liderit të LDK-së dhe njerëzve që e rrethojnë. Ai ka akuzuar Mustafën se ka shpërblyer humbësit dhe vasalët e deridjeshëm të PDK-së. "Mustafa u përkrah, sepse ai në projektin e tij premtoi unitetin dhe reformën në parti, por ai nuk e bëri asnjërën", ka qortuar Rexhepi Isën. Madje Rexhepi ka thënë se Mustafa dobësoi imazhin e LDK-së, sepse ai u zgjodh kryetar partie për një imazh tjetër politik, por nuk bëri asgjë, dhe shpëtimin do ta kërkojë në koalicion me PDK-në. Sipas Rexhepi, me formatimin e Këshillit Drejtues dhe më pas edhe të kryesisë së LDK-së, u pa hapur se tradhëtoi besimin e delegatëve të LDK-së. Rexhepi ka akuzuar Mustafën se "ka privilegjuar klanin i cili qysh tash është në koalicion me PDK-në".
Ai ka thënë se cili është imazhi i shtetit më të ri dhe më të korruptuar, me ikje dhe dezertim, dhe po të njëjtin duan ta drejtojnë këtë shtet, duke aluduar në dy partitë e koalicionit të deridjeshëm. Rexhepi ka shprehur drojën se i njëjti koalicion do të qeverisë edhe pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, sepse këta skenarë tashmë janë të përgatitur. Ai i ka ftuar qytetarët që ta notojnë e vlerësojnë secilin për punën që ka bërë në Parlament dhe në institucione të tjera. I ka ftuar qytetarët që të mos i japin votën atij që ka dështuar. Ai ka shtuar që secili duhet të marr notën për atë çfarë ka bërë, dhe elektorati t'i ketë parasysh veprat e secilit.
Në fund Rexhepi ka thënë se "unë nuk do ta përkrah Isa Mustafën dhe projektin e tij e as lidershipin e tij të partisë, prapa të cilit fshihet koalicioni me PDK-në", ndërsa ka përsëritur se ai do të mbetet anëtar i thjeshtë i LDK-së për ta promovuar vizionin dhe unifikimin e të gjitha grupeve dhe fraksioneve të LDK-së. Ndërsa ka nënvizuar se mesazhi i tij i fundit është se pa familjen e Rugovës nuk ka LDK.
Mirëpo, Lutfi Haziri, kryetar i Degës së LDK-së, ka thënë se ajo çfarë ka folur Fatmir Rexhepi është çështje e tij personale, por nuk përfaqëson degën e LDK-së dhe elektoratin e partisë në Gjilan. Haziri ka thënë se Isa Mustafa gëzon përkrahje unanime nga elektorati i LDK-së në Gjilan dhe Shtabi zgjedhor është duke punuar për zgjedhjet. Haziri ka shpjeguar edhe pse ka marrë dega e LDK-së në takimin e Fatmir Rexhepit, pasi ai na ka thënë se dëshiron të falenderojë strukturat e degës dhe anëtarësinë e aktivistët për punën e përbashkët dhe të paraqesë qëndrimet e tij dhe tërheqjes nga strukturat e partisë, "por mesazhi i Rexhepit është i dëmshëm për LDK-në, është negativ", është shprehur Haziri menjëherë pas përfundimit të takimit të Fatmir Rexhepit me degën e partisë.