Pejë, 13 nëntor - Për kryetarin e LDD-së, Nexhat Dacin, gjendja në veri edhe 3 vjet pas pavarësisë së Kosovës është refleks i politikave vendore dhe ndërkombëtare. Sipas tij, të parëve u ka konvenuar sepse aty ka lulëzuar korrupsioni dhe krimi i organizuar prej të cilit ata kanë vjelë përfitime, ndërsa të dytët, në këtë pjesë të vendit kanë filluar të zhvillojnë biznese të ndyta. Prandaj, sipas tij, me qeverisjen e LDD-ja do të themelohet “njësiti i xhandarmërisë”, si komponent dhe strukturë e fuqishme në menaxhimin e kufijve dhe luftimin e krimit të organizuar, jo vetëm në veriun e Kosovës.
Këto komente dhe premtimin për xhandarmërinë kufitare numri një i dardanëve, Nexhat Daci i ka bërë të shtunën në Pejë, para anëtarëve dhe simpatizantëve të partisë së tij, në kuadër të shpalosjes së platformës qeverisëse të LDD-së për mandatin që beson se do të fitojë pas zgjedhjeve të dhjetorit.
Projektin e tij, të shpalosur edhe me një dokumentar gati 1-orësh, Daci e ka konsideruar si shpëtim për shtetin e Kosovës, dhe mundësi reale për heqjen e getos ndaj një populli të Kosovës. “Me LDD-në nuk do të ketë getoizim dhe Kosova nuk do të jetë më pikë e zezë në Evropë”, ka thënë Daci.
Gjatë fjalimit para simpatizantëve, të cilët tërë kohën kanë shijuar shijen e sofrës dardane me ushqime tradicionale, Daci ka shtuar se gabimi më i madh i bashkësisë ndërkombëtare në këto 3 vite ishte përkrahja e koalicionit PDK-LDK. “E, kjo qeverisje, e ndërtuar me moton: ‘Koalicion për shtetin’ në fakt ishte qeverisje kundër shtetit. Ishte qeverisje kundër popullit dhe antikombëtare. Qeverisja e koalicionit PDK-LDK ishte qeverisje klanore për fise të ngushta”, ka thënë Daci. Këtë e ka shpjeguar me situatën e rëndë ekonomike dhe paperspektivën për të rinjtë që tha se po mbretëron në vend. “Brenda vitit në tregun e punës hynë rreth 30 mijë të rinj, ndërsa mezi punësohen 4 mijë prej tyre”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo ka bërë që të rinjtë të paguajnë para të majme për pasaporta false që të ikin nga “shtëpia e tyre”.
Duke shpalosur pjesë të projektit për zhvillim ekonomik Daci ka krahasuar gjendjen e minierave dikur dhe sot. “Kosova ishte eksportuesi më i madh i metaleve të çmuara në Evropë. Sot minierat janë të rrënuara”, ka shtuar ai, për të kritikuar politikat ekonomike edhe për procesin e privatizimit. Për më shumë numri një i dardanëve, Nexhat Daci, ka shtuar se nuk ka shtet në botë që eksporton më shumë para kesh madje edhe për gjërat më elementare për ushqim dhe veshmbathje se Kosova. “Ky trend duhet të ndërpritet dhe këtë do ta bëjë LDD-ja”, ka premtuar ai.
Gjithnjë duke potencuar se takimi i së shtunës nuk ishte fushatë parazgjedhore, Nexhat Daci në ka shtuar se “foshnja e lindur me ndihmën e dynjasë”, Kosova, kërkon rritë të shëndoshë. “Dhe kjo mund të bëhet vetëm me LDD-në” është shprehur ai.
Në fund të këtij takimi Nexhat Daci u ka premtuar dardanëve dukagjinas liri të plotë në jetën private, ekonomi të zhvilluar, arsim parametrash evropian. “Prandaj keni arsye të jeni krenar”, ka përfunduar i pari i dardanëve, Nexhat Daci.