Organizimi i zgjedhjeve parlamentare të 12 dhjetorit në veri të Kosovës, është mjaft i vështirë, por nuk është i pamundur, vlerësojnë analistët të çështjeve politike në Kosovë. Ata thonë se janë mjaft faktorë që e vështirësojnë organizimin e këtyre zgjedhjeve në veri të vendit, por institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare në Kosovë, duhet të gjejnë mënyrën që serbëve lokalë t’u krijojnë mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.
Analisti Ramush Tahiri thotë se organizimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës është i mundshëm teorikisht, por në praktikë, kjo nuk mund të bëhet pa miratimin e strukturave lokale të serbëve që jetojnë në veri dhe pa bashkëbisedimin me serbët e autoritetshëm, të cilët do të dilnin në zgjedhje.
“Në pjesën veriore të Kosovës, ne i kemi dy telashe. E para, që serbët janë deklaruar se nuk do të dalin në zgjedhje. E dyta, nuk i lënë vendvotimet dhe aty pastaj i kemi vendvotimet mobile, gjë që do të ishte problem për të votuar njerëzit. Institucionet tona atje duhet të kenë jo vendvotime mobile, por vendvotime të përhershme. Do të thotë, t’i kenë objektet ku mund të organizohen vendvotimet. Nuk është e pamundur, bashkësia ndërkombëtare duhet të ndihmojë bashkë me misionin EULEX që është atje, por është e vështirë”, thotë Tahiri.
Ndërkaq, analisti Driton Lajçi vlerëson se gjasat janë reale që të organizohen zgjedhjet parlamentare të Kosovës edhe në veriun e vendit dhe t’u krijohet mundësia e votimit zgjedhësve serbë.
“Ka gjasë reale që, nëse asgjë tjetër, atëherë, së paku të ketë vendvotime mobile, në mënyrë që Kosova t’ua shtrijë dorën qytetarëve në veriun e saj, në veriun e Mitrovicës, në mënyrë që atyre t’u krijohet dhe t’u sigurohet e drejta që të shprehin lirisht vullnetin e tyre. KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës kanë kapacitete të mjaftueshme që t’i sigurojnë edhe fizikisht vendet e votimit dhe t’i sigurojnë fizikisht edhe qytetarët serbë në veriun e Mitrovicës, në mënyrë që ata ta japin votën e lirë për përfaqësuesit e tyre”, vlerëson Lajçi.
Në anën tjetër, të dy këta analistë thonë se sinjalet nga Beogradi zyrtar, lidhur me mundësinë e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit, janë të turbullta dhe kundërthënëse. Ndërkohë, sipas tyre, ka pasur edhe deklarata të disa politikanëve serbë të veriut të Kosovës se serbët nuk guxojnë dhe nuk duhet të dalin në këto zgjedhje. Të gjitha këto, vlerësojnë analistët, krijojnë huti dhe pasiguri te votuesit potencialë serbë të veriut të Kosovës.
Ndryshe, deri më tash, qëndrimi zyrtar i Qeverisë së Beogradit është se nuk janë përmbushur kushtet për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhje. Zyrtarë të lartë të Parlamentit serb kanë thënë se u mbetet vetë serbëve që të vendosin nëse duan të marrin pjesë në zgjedhje.