Prishtinë, 17 nëntor – Duke iu referuar bilancit tregtar në muajt e fundit, del se Kosova vazhdon të eksportojë paranë e gatshme. Sipas të dhënave të publikuara nga Enti i Statistikave, deficiti tregtar i Kosovës në muajin shtator ka qenë 166.2 milionë euro. Kurse në muajin gusht deficiti tregtar kishte arritur në 180.7 milionë euro. Në nëntëmujorin e këtij viti, deficiti tregtar i Kosovës ka arritur në 1 miliard e 333 milionë euro. Nëse iu referohemi statistikave për muajin shtator atëherë shihet se deficiti tregtar ishte për 11 milionë më i lartë se shtatori i vitit të kaluar.
“Eksporti në muajin shtator të vitit 2010 kishte vlerën 25,1 milionë euro, ndërsa importi 191,4 milionë euro. Kjo është një rritje prej (45.8%) për eksport dhe (10.7%) për import krahasuar me shtatorin e vitit 2009”, thuhet në raportin për tregtinë e Jashtme të Kosovës për muajin shtator, i cili është publikuar nga Enti i Statistikave të Kosovës.
Në totalin e eksporteve gjatë shtatorit, 57.1 për qind kanë qenë metalet bazë dhe artikujt prej tyre. Kurse eksporti i produkteve minerare ka shënuar një rritje të lehtë, nga 15. 2 për qind sa ishin në muajin gusht, në 16.3 për qind të eksporteve për shtator. Ndërsa eksporti i produkteve bimore (5.7 për qind) dhe ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani kanë rënë gjatë muajit shtator në krahasim me muajin gusht.
Të dhënat e grupeve kryesore për import thonë se 18.9 për qind të importit e përbëjnë produktet minerale, pasojnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 12.8 për qind, makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike 9.6 për qind, metale bazë dhe artikuj prej tyre 6.9 për qind, produkte të industrisë kimike 6.9 për qind, mjetet e transportit 5.7 për qind etj.
Sa i përket vendeve me të cilat Kosova ka marrëdhënie ndërkombëtare, shihet një rritje e eksporteve për në vendet e BE-së. Mirëpo gjendja mbetet “e nderë”në raport me dy vendet e rajonit, përkatësisht Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Ato vazhdojnë të bllokojnë prodhimet kosovare, e kjo shihet edhe nga të dhënat e prezantuara nga ESK-ja, sipas të cilave nuk ka prodhimet që eksportohen në këtë dy vende. Ndërkohë prodhimet serbe vazhdojnë të jenë të pranishme në tregun e Kosovës. Madje, në etiketën e tyre vendi i importit shkruhet si UNMIK/Kosovo, që bie në kundërshtim me realitetin e krijuar pas 17 shkurtit të vitit 2008.
Përqindja më e madhe e eksportit në muajin shtator ishte për në Itali (19.9 për qind). Prodhimet kosovare janë eksportuar edhe për në Shqipëri (13.1 për qind) , Maqedoni (11.4 për qind), Gjermani (3.4 për qind) etj. Ndërsa sipas të dhënave përqindja më e madhe e importit është nga: Maqedonia (15.6 për qind), Serbia (13.7 për qind), Gjermania (10.8 për qind), Turqia (6.4 për qind), Kina (6.1 për qind) etj.
Kosova në vazhdimësi ka pasur bilanc negativ tregtar. Bilanci tregtar ose diferenca në mes eksportit dhe importit është një prej komponentëve kyçe në rritjen ekonomike. Ekspertët kanë theksuar se niveli i lartë i deficitit dëmton ekonominë vendëse, pasi bëhet eksporti i parasë së gatshme, i cili bën që të ulet likuiditeti i ekonomisë vendëse dhe të ketë mungesë të parasë së gatshme dhe kjo dëmton procesin e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Stimulimi i investimeve të jashtme dhe i prodhimtarisë vendëse shihen si dy alternativa për uljen e deficitit tregtar.