Komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë, Miloje Miletic kanë mbajtur të enjten një takim në Serbi, ndërkaq Buhler citohet të ketë thënë se KFOR-i do të mbetet i përkushtuar në misionin e vet për të siguruar ambient të qetë e të sigurt dhe liri të lëvizjes në gjithë Kosovën.
Me këtë rast, situata e përgjithshme përgjatë vijës administrative kufitare u vlerësua e qetë dhe stabile, ndërkaq disa aktivitete kriminale nga dy anët e kufirit, si kontrabanda, imigrimet ilegale apo prerja ilegale e pyjeve u tha se mund të rregullohen me bashkëpunim profesional të forcave të sigurisë së të dy anëve dhe patrullave të sikronizuara përgjatë vijës.
Në njoftimin e KFOR-it bëhet e ditur se takimet e Komisionit të Përbashkët Implementues mbahen rregullisht ndërmjet KFOR-it dhe autoriteteve ushtarake serbe në nivele të ndryshme që nga viti 1999, pas obligimeve të dala nga “Marrëveshja e Kumanovës.
Çështjet primare të këtyre takimeve thuhet të jenë monitorimi, ndërlidhja dhe zgjidhja e konflikteve si përmbushje të kërkesave të Marrëveshjes Teknike Ushtarake, e cila përfshin shkëmbimin e informatave lidhur me forcat e sigurisë në të dy anët e vijës administrative kufitare (VAK), ushtrimet e tyre etj.
Buhler e informoi Mileticin mbi gjendjen e tanishme të KFOR-it dhe planet për reduktimin dhe riorganizimin e njësive të KFOR-it, duke vlerësuar se KFOR-i do ta rrisë lëvizshmërinë, fleksibilitetin dhe gatishmërinë e trupave si kompensim i reduktimit.
“KFOR-i do të mbetet i përkushtuar në misionin e vet për të siguruar ambient të qetë e të sigurt dhe liri të lëvizjes në gjithë Kosovën. Në këtë drejtim, KFOR-i do të vazhdojë të bashkëpunojë me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës”, ka thënë Buhler.
Të dy gjeneralët e vlerësuan bashkëpunimin ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të armatosura serbe si shumë të mirë, profesional, bazuar në respekt të ndërsjellë.
Gjeneralët po ashtu shkëmbyen informata dhe mendime mbi situatën e përgjithshme në Kosovë, ndërkaq të dy gjeneralët u pajtuan të vazhdojnë dhe ta zhvillojnë më tutje bashkëpunimin ndërmjet dy palëve dhe ngrisin komunikimin ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të Armatosura Serbe në nivelin e tyre të duhur.