Gjatë fjalës së tij në Sesionin e 37-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Konferencës Islamike mbajtur në Dushanbe të Taxhikistanit, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ilir Meta i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe procesit të njohjeve të Republikës së Kosovës si dhe zhvillimeve të fundit në shtetin e ri.
Duke iu drejtuar homologëve të tij të vendeve anëtare të OKI, Meta e vlerësoi miratimin e Rezolutës “Mbi situatën në Kosovë”, si një dëshmi të qartë të solidaritetit dhe angazhimit të sinqertë të Organizatës së Konferencës Islamike në drejtim të vlerave të lirisë dhe progresit. Gjithashtu, Meta vuri në dukje zhvillimet thelbësore që kanë ndodhur në Kosovë në të gjitha drejtimet, duke veçuar konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Në këtë kuadër, ai theksoi pjesëmarrjen e pakicës serbe në zgjedhjet e suksesshme vendore si dhe rolin funksional të EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës, që tashmë është njohur prej 68 vendeve. Gjithashtu, Meta vlerësoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe të gjithë fqinjëve të saj, me përjashtim të Serbisë, si një fakt jetësor të realitetit të tanishëm në Ballkan dhe si një domosdoshmëri për stabilitetin dhe sigurinë rajonale.
Meta tha se së shpejti priten njohje të reja, dhe se veç FMN-së dhe Bankës Ekonomike, anëtare e të cilave është, Kosovën pritet ta pranojnë në gjirin e tyre edhe institucione të tjera ekonomike dhe financiare me karakter rajonal dhe ndërkombëtar.
“Në terma reale, Kosova e pavarur ka krijuar një klimë të re, e cila rrezaton paqe dhe stabilitet në fushat e sigurisë, marrëdhënieve ndëretnike dhe në fusha të tjera, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin tonë”, tha ministri i Jashtëm shqiptar.
Ai potencoi se vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe gjithë vendeve fqinje, me përjashtim të Serbisë, përbën një dëshmi të qartë se ekzistenca e saj, si shtet i pavarur dhe sovran, tashmë është njohur dhe vlerësuar vetëm si një fakt jetësor i realitetit të tanishëm në Ballkan, por edhe si domosdoshmëri për stabilitetin dhe sigurinë e tij.
“Shqipëria beson se miratimi i Projekt-Rezolutës mbi situatën në Kosovë gjatë këtij Sesioni do të jetë një sinjal i qartë dhe pozitiv si dhe një hap inkurajues përpara nga Shtetet Anëtare të OKI-së, për zhvillimet e mëtejshme në Kosovë”, tha zëvendëskryeministri Meta.