Prishtinë, 28 dhjetor – Hetimet e zhvilluara në të ashtuquajturën “shtëpia e verdhë” në një fshat afër Burrelit, në Shqipërinë Veriore, nuk kanë mundur të vërtetonin pretendimet se në atë shtëpi janë hequr veshka të njerëzve për qëllime tregtie.
Një raport i marsit të vitit 2004, i hartuar nga pesë ekspertë ndërkombëtarë të Tribunalit të Hagës dhe të Kombeve të Bashkuara, të cilin e ka siguruar Koha Ditore, thotë se ekzaminimet në të ashtuquajturën “shtëpia e verdhë” nuk kanë dhënë dëshmi bindëse se aty është derdhur gjak si rezultat i akteve kriminale.
“Bazuar në ekzaminimet tona, sipas mendimit tonë, nuk ka dëshmi bindëse se personat kanë derdhur gjak si rezultat i akteve kriminale në shtëpinë në jugperëndim të Burrelit të Shqipërisë”, thuhet në raport.
Thashethemet që kanë qarkulluar për shumë vjet, të cilat kanë shpërthyer në nivel ndërkombëtar pas raportit të senatorit zviceran, Dick Marty, lidhur me pretendimet për krime të kryera gjatë dhe pas luftës nga ish-krerë të UÇK-së, kundër serbëve të rrëmbyer dhe të vrarë për heqje të organeve të tyre në muajt pas luftës në Kosovë, në bazë të tri hetimeve paralele ndërkombëtare, nga hetues për krime lufte nga Serbia, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, kanë dështuar për të zbuluar ndonjë provë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka trafikuar organet e robërve.
Pasi kishte dështuar t’i vërtetonte pretendimet se dhjetëra të burgosurve kryesisht serbë u janë hequr organet në të ashtuquajturën "shtëpi e verdhë" në afërsi të Burrelit në Shqipërinë Veriore nga qershori 1999 deri maj 2000, i kishte publikuar ish-kryeprokurorja e Hagës, Carla del Ponte, në librin e saj “Unë dhe kriminelët e luftës”. Sipas disa dëshmitarëve anonimë, ajo pretendon se organet e serbëve janë hequr në mënyrë sistematike dhe janë shitur.
Historia e sjellë në librin autobiografik të Del Pontes, e rikthyer këtë muaj nga bashkëkombësi i saj, Dick Marty, në bazë të hetimeve mbetet fiktive, e pabazuar në fakte. Më gjerësisht për “faktet”, përkatësisht për provat e munguara nga hetimi i asaj kohe, ku ka marrë pjesë madje edhe Jose-Pablo Bayrabar, mund të lexoni në Kohën ditore të së martës.