Prishtinë, 7 janar - Rekordmeni i katërfishtë i botës në zhonglim me top, Agim Agushi, për pak javë synon "të thyejë" edhe një rekord tjetër të botës. Atij i është kërkuar nga klubi i rekordeve të botës "Saxonia", me seli në Lajpcig, që të regjistrojë një rekord duke goditur topin me kokë në ecje mbi karrige të vendosura njëra pas tjetrës. Ai ka zgjidhur Tetovën për këtë rekord dhe thotë se në fund të janarit apo më së largu deri më 10 shkurt, do të mbahet kjo ngjarje.
"Zgjidhja e Tetovës nuk është e rastësishme. Rekordet e deritashme i kam arritur jashtë vendit, por tani synoj që gjatë këtij viti të arrij nga një rekord në të gjitha trojet shqiptare. Do të filloj në Tetovë, më pas në Prishtinë dhe në Tiranë", ka thënë Agushi të enjten.
Kjo që do të bëjë profesori i matematikës në gjimnazin "Kuvendi i Lezhës" në Viti, është disiplinë e re. Agushi ka planifikuar të krijojë një hark të madh me 200 karrige dhe të bëjë të paktën 10 xhiro duke e goditur topin me kokë. Stërvitjet për këtë tashmë i ka nisur.
Në të vërtetë, ai është rekordmen i botës edhe në katër disiplina të tjera. Një, përshkoi 15 km e 356 metra duke ecur dhe në të njëjtën kohë duke e goditur topin me kokë; dy, goditi topin në çift me nipin e tij Bujar Ajeti për 3 orë e 55 minuta; tre, goditi topin për shtatë kilometra, duke qëndruar mbi një veturë në lëvizje, dhe katër, goditi topin shkallëve poshtë e lart në një ndërtesë 65-katëshe në Frankfurt për 1 orë, 37 minuta e 5 sekonda, që i ra të kalonte 5.304 shkallë. Ai ishte pronar edhe i një rekordi në librin e famshëm "Guinness", por tash e tre vjet ai i është thyer nga suedezi Tomas Lundman. Ai qëndroi për 4 orë, 2 minuta e 1 sekondë këmbëkryq duke e goditur topin me kokë, ndërkohë që suedezi e kaloi më 2007 për 7 minuta e 25 sekonda. Por, këtë rekord ai tenton ta kthejë sërish në pronësi të tij këtë vit.
"Këtë rekord planifikoj ta thyej nga gjysma e prillit në Prishtinë, ndërsa një tjetër do ta përzgjedh për Tiranën gjatë verës për të bërë një xhiro të plotë rreth trojeve shqiptare", ka shtuar Agushi.
Po në muajin prill, ai është ftuar edhe nga organizatorët e maratonës së Dresdenit për të për një ecje të shpejtë, duke goditur topin me kokë. Minimumi që i është kërkuar është distanca 10 kilometra. Por, kjo nuk është diçka e paarritshme për ish-futbollistin e Unitetit. Rekordi i tij në këtë disiplinë kalon 15 kilometrat.