Ambasadori i Francës në Beograd, Francois-Xavier Deniau, ka deklaruar se në Kosovë vërtetë ka pasur vjedhje në zgjedhje, megjithatë, ai ka thënë se ka pasur edhe disa askete pozitive.
“Kur bëhet fjalë për zgjedhje, shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në mesin e të cilëve është edhe Franca, e dinë se bëhet fjalë për një shtet të ri që nuk ka përvojë me demokracinë parlamentare. Në Kosovë ka pasur vjedhje në zgjedhje, për të cilat në mënyrë të veçantë kanë raportuar vëzhguesit francezë”, ka thënë Deniau për gazetën “Danas”, transmeton Zëri.
Megjithatë, ai ka thënë se ka pasur edhe aspekte pozitive – siç është mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve, mundësia e kundërshtimit, ekzistimi i organeve të drejtësisë që shpejt mund t’i analizojnë faktet dhe të marrin vendime, përfshirë këtu edhe vendimin për përsëritjen e zgjedhjev”. “Ky është përparim në të mësuarit e demokracisë”, vlerësoi ai.
I pyetur ndërkaq për raportin e Dick Martyt, Deniau ka thënë se, publikimi i tij është pasuar me iniciativat që i ka ndërmarrë prokuroria e EULEX-it. Tash, sipas tij, secili duhet ta bëjë punën e vet.
I pyetur ndërkaq, nëse raporti i Martyt dhe vjedhja në zgjedhje mund të rrezikojnë shtetësinë e Kosovës, Deniau është përgjigjur negativisht. “Jo. Megjithatë, të mësuarit e demokracisë kërkon kohë dhe mu për këtë shkak ekziston misioni EULEX, që po ndihmon në zhvillimin e sistemit të drejtësisë dhe të institucioneve”, është shprehur ai.
Rëndësi të jashtëzakonshme, sipas tij, duhet pasur për kualitetin e jetës së përditshme të njerëzve. “Është e domosdoshme që të përmirësohet standardi jetësor, siguria e njerëzve, puna e shërbimeve publike dhe të zvogëlohet papunësia”, ka thënë Deniau.
Madje edhe Rezoluta e Kombeve të Bashkuara që inicion dialogun në mes të Beogradit dhe Prishtinës, siç vlerëson ambasadori francez, në mënyrë të qartë precizon se për synim ka “përmirësimin e jetës së qytetarëve”.
“Besoj se në kuadër të këtij dialogu mund të arrihet një përparim real, që është në interes të të gjithëve. Shpresoj që dialogu do të fillojë se shpejti dhe e përshëndes angazhimin e pushtetit serb - që po përgatiten në mënyrë të vendosur për të (dialogun)”, tha Deniau, i cili po ashtu pajtohet me konstatimin se Kosova sot nuk është më një nga temat kryesore të politikës serbe.