Partitë politike në Kosovë kanë shprehur keqardhje për ngjarjet tragjike në Tiranë ku tre qytetarë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën ose u lënduan gjatë një proteste të organizuar nga opozita. Partitë Kosovare u kanë bërë ftesë palëve të zgjidhin çështjet me anë dialogu politik dhe të distancohen nga veprimet e dhunshme.
Reagimi i AAK-së
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është duke ndjekur me shqetësim dhe është e brengosur për situatën politike të krijuar në Shqipëri. AAK i bënë thirrje vëllazërore të gjithë popullit shqiptar për qetësi dhe maturi!
“Duke bashkë-ndjerë me situatën me vëllezërit tonë shqiptar, si Aleancë dhe si Kosovë gjithmonë kemi gjetur mirëkuptimin për zhvillimet në Shqipëri, andaj edhe kësaj radhe në rrethana sfiduese që po kalon Shqipëria, bëjmë thirrje që të gjendet hapësira që kjo situatë të tejkalohet me maturi”.
“Ne kemi besim se lidershipi shqiptar do të gjejë rrugën më të mirë të mundshme që ta tejkalojë këtë sfidë në interes të Kombit dhe Shtetit Shqiptar”, thuhet në deklaratën e AAK-së.
Reagimi i LDK-së
Lidhja Demokratike e Kosovës ka ndjekur me shqetësim të thellë zhvillimet e sotme në Tiranë. Lidhja Demokratike e Kosovës dënon veprimet e dhunshme, duke besuar thellë se të gjitha çështjet duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut politik.
“Ngjarja e sotme në Tiranë dëmton rëndë demokracinë në Shqipëri, dëmton imazhin e saj dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian. Lidhja Demokratike e Kosovës bën thirrje që palët të zgjidhin çështjet me anë dialogu politik dhe të distancohen nga veprimet e dhunshme”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës beson thellë në vullnetin e forcave politike në Shqipëri që vendi të ruajë e të avancojë demokracinë. Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhjen më të thellë për jetët e humbura sot dhe bën thirrje për qetësi”.
Reagimi i Lëvizjes “Vetëvendosje”
Lëvizja Vetëvendosje shpreh keqardhje për ngjarjet tragjike në Tiranë ku tre qytetarë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën ose u lënduan. Me këtë rast, Vetëvendosje iu shpreh ngushëllime familjeve të të vrarëve dhe ndanë dhembjen me ta, ndërsa të plagosurve e të lënduarve iu dëshiron shërim të shpejtë.
“Shqiptarët kudo që janë në Ballkan, përfshirë këtu edhe Republikën e Shqipërisë, kanë pafund arsye që të protestojnë e demonstrojnë për shkak të jetesës së mjerë që bëjnë, nëpërkëmbjes së dinjitetit kombëtar dhe mungesës së perspektivës si qytetarë. Kombi shqiptar është më i varfëri dhe me papunësinë me të lartë në Evropë. Politikanët shqiptarë janë më të pasur se gjithë kolegët e tyre në Evropë krahasuar me buxhetin e shteteve përkatëse”.
“Në institucionet e shtetit shqiptar zakonisht i shohim partitë pa popull kurse sot e pamë popullin pa parti, të zemëruar me pozitën dhe të braktisur nga opozita. Kjo demonstratë tregoi hendekun midis qytetarëve të pakënaqur dhe qeveritarëve të vetëkënaqur, por edhe konfirmoi hendekun tjetër midis popullit dhe opozitës”.
“Shqiptarët e pakënaqur, kudo që janë, duhet të organizohen për ta shprehur pakënaqësinë e tyre me gjuhën e vullnetit dhe interesit të tyre. Përndryshe, pa organizim politik ka veçse përfitime partiake e humbje kombëtare”, thuhet në deklaratën e Lëvizjes Vetëvendosje.