Tiranë, 21 janar - Kryeministri Berisha akuzoi direkt kreun e opozitës për dhunën e ushtruar sot në protesta, e cila u mbyll me 3 të vrarë dhe shumë të plagosur. Ai tha se në demonstratë morën pjesë banda të drogës dhe krimit të organizuar, të financuara direkt nga opozita.
“Nën drejtimin direkt të Edvin Kristaq Ramës, i vendosur në kullat karshi, falangat e krimit, grupe banditësh, trafikantësh dhe terroristësh, në përbërje të të cilëve ishin rreth 200-300 vetë, pasi qytetarët nuk lejuan të infiltrohen në dhunë, për orë të tëra tentuan të rrethojnë Kryeministrinë e vendit dhe të vendosin pushtetin e dhunës. Skenari i tyre ishte: duhej me çdo kusht të merrej Kryeministria, Parlamenti dhe ministritë. Në këto përleshje kanë humbur jetën tre qytetarë dhe janë plagosur shumë të tjerë”, theksoi Berisha sonte në një konferencë me gazetarë. Sipas tij, “përgjegjësia totale bie mbi organizatorët e skenarëve tunizianë".
Duke shprehur ngushëllimet e sinqerta për familjarët e viktimave, Berisha shtoi se "të dhënat e para flasin se secili prej tyre u qëllua me armë që nuk gjenden në armatimin e policisë së shtetit dhe të Gardës së Republikës. I kërkoj prokurorisë të zbardhë të vërtetën e këtyre jetëve të humbura”, tha Berisha, transmeton gazeta elektronike Start.
Ai shprehu vlerësimin e madh dhe falënderimin me mirënjohje të thellë policisë së shtetit për shkallën më të lartë të profesionalizimit, të përgjegjësisë, gjakftohtësisë me të cilën “ajo bëri që të dështojë skenari i trojkës Rama-Ruçi-Gjinushi”.
“Një falënderim dua t’u bëj qytetarëve të Tiranës që braktisën aventurën e trojkës Ruçi-Rama-Gjinushi. Me qeverinë e tyre bënë që ajo të marrë përgjigjen e merituar. Sot kam marrë mijëra mesazhe që dënojnë këto akte bandideske të 200-300 personave të paguar që tentuan t’i vinin zjarrin institucioneve. Në zjarr ishin të drejtat, pasuritë, votat, e ardhmja, etj”, vijoi ai. Më tej Berisha tha se kishte qëndruar në zyrën e tij që prej 14:30 e deri në orën 19:45, kur dha konferencë për shtyp.
Ministri në qeverinë Berisha, Sokol Olldashi, i ftuar në ABC News ka kritikuar kryesocialistin Rama, duke pohuar se ai është një burracak, sepse ai e parapërgatiti gjithë skemën për të marrë pushtetin me rrugaçë dhe më pas është fshehur.
“Që nesër, institucionet e drejtësisë duhet të nisin procedimin penal ndaj zotit Rama, për vrasje me paramendim”, tha ai.
Ai lëshoi madje një akuzë të ashpër dhe publike, duke thënë se ata njerëz janë vrarë nga Rama. “Fakti që ata janë qëlluar nga afër, do të thotë se janë qëlluar nga turmat dhe Edi Rama është përgjegjës i tre të vrarëve”, tha Olldashi. Në fund, ai drejtoi falënderim për të gjithë socialistët që morën pjesë në protestë, por që nuk u bënë pjesë e dhunës, si dhe qytetarët e Tiranës që nuk u përzien me një protestë që ishte paralajmëruar për marrje të pushtetit me dhunë.
Policia e Shtetit shqiptar, në një deklaratë të orëve të vona, ka bërë të ditur pasojat e demonstratës së dhunshme të opozitës të zhvilluar sot në kryeqytet. Sipas saj, janë plagosur rëndë 17 punonjës policie dhe 100 të tjerë kanë marrë lëndime.
“Pas grumbullimit para ndërtesës të Këshillit të Ministrave, grupe demonstruesish në prani dhe me nxitjen e drejtuesve dhe organizatorëve të demonstratës goditën me gurë e sende të tjera të forta punonjës të policisë, të cilët ishin të planizuar me shërbim për të garantuar sigurinë publike. Në vazhdim, këto grupe demonstruesish tentuan të hyjnë me dhunë në ambientet e Këshillit të Ministrave, duke përdorur bomba molotov, mjete të tjera zjarrvënëse dhe shpërthyese, gurë etj”, tha zëdhënësja Laura Totraku. Gjatë gjithë kësaj kohe Policia e Shtetit ka ruajtur gjakftohtësinë dhe vetëpërmbajtjen dhe ka vepruar me profesionalizëm në zbatim të ligjit duke ju shmangur çdo provokimi të bërë.
Gjithashtu janë djegur dhe shkatërruar plotësisht mbi 15 mjete dhe dëmtuar me dhjetëra të tjera.“Pas largimit nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit, grupe vandalësh kanë vazhduar të shkatërrojnë, vjedhin dhe vandalizojnë objekte të ndryshme.
Policia njoftoi se drejtues të Prokurorisë së Tiranës dhe ekspertë mjeko-ligjorë kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e vrasjes dhe autorët e tyre”, thuhet më tej në reagim.