Prokurorët e EULEX-it, Shërbimin Informativ të Kosovës e shohin si një organizatë kriminale që financohej nga pastrimi i parave, trafikimi me drogë e armë. Këtë bindje e kanë demonstruar gjatë intervistimit të dëshmitarëve e të dyshuarve për përfshirje në veprime të paligjshme.
Prokurori special Erwin Petilos beson se ky shërbim sekret që ka vepruar në Kosovë për një dekadë është përfshirë edhe në vrasjen e zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Deputeti Syla është përgjigjur me mohim, derisa prokurori ndërkombëtar e ka pyetur sërish atë se “a ka qenë SHIK-u ndërmarrje kriminale për të pastruar para nga aktivitetet e krimit të organizuar”?
“Është punë e juaja t’i bëni këto pyetje, por jo dhe jo”, është përgjigjur Azem Syla prokurorit gjatë intervistës, një kopje të së cilës e ka siguruar “Koha Ditore”.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës është marrë në pyetje në Prokurorinë Speciale të Kosovës, pas akuzave që kishte hedhur kundër tij Nazim Bllaca, i cili pretendon se ka qenë agjent i SHIK-ut dhe se ka kryer krime me urdhër të Azem Sylës.
Ky i dyshuar i ka mohuar të gjitha këto akuza. Ai ka thënë se nuk e njeh fare Nazim Bllacën, por ka pranuar se njihet me disa prej njerëzve të cilët nuk e kanë mohuar njohjen me Bllacën dhe bashkëpunimin me të në fushën e biznesit. Për Shpresim Ukën ka thënë se e ka të martuar mbesën e tij; me hallën e Fahredin Gashit ka thënë se ka qenë në burg; derisa Shaban Sylën ka pohuar se e ka familjar.
Ndonëse ka mohuar lidhjet me këtë organizatë që është cilësuar si nëntoka e PDK-së së kryeministrit Hashim Thaçi, prokurori i ka bërë shumë pyetje në lidhje me përfshirjen e tij në të. Syla ka thënë se i ka njohur njerëzit e SHIK-ut që nga lufta. Kadri Veselin ka thënë se e njeh që nga koha kur kishte dalë nga burgu për herë të dytë, në vitet 1992-1993.
Deputeti Syla nuk e ka përjashtuar mundësinë që SHIK-u të ketë mbledhur informacione për partitë opozitare dhe për bashkëpunëtorët, mirëpo për këtë ka thënë se nuk ka informacion.
Ish-ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme ka thënë se megjithëse në Rambuje ishte marrë vendimi për krijimin e kësaj qeverie, ndërkombëtarët nuk e njihnin atë, por qeverinë në ekzil të Bujar Bukoshit. Të dy këto qeveri sipas tij po punonin në atë kohë për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Lidhur me bashkëpunëtorët e regjimit të Serbisë ai ka thënë se nuk ka asgjë personale me ta. Bile as me ata që e kishin torturuar në burgjet serbe. Mirëpo, prokurori i ka rikujtuar atij një deklaratë të 4 prillit të vitit 2001 që sipas tij Shtabi qendror i UÇK-së gjithmonë ishte cak i Serbisë dhe i sulmeve të LDK-së. Sipas prokurorit pas kësaj deklarate shumë njerëz të kësaj partie i ishin nënshtruar dhunës.
“Nuk më kujtohet ta kem bërë këtë deklaratë”, ka thënë Syla, transmeton “Koha Ditore”.
Prokurori e ka pyetur se a ka qenë në interes të PDK-së të vriteshin anëtarët e LDK-së. Syla e ka kundërshtuar këtë pyetje. Ai ka shtuar se ka punuar si mësues për 12-13 vjet dhe se është nonsens që një mësues t’i gëzohet çfarëdo viktime.
Syla ka mohuar se ka informacione për mënyrën e financimit të SHIK-ut dhe se njihet me Driton Hajdarin. Mirëpo prokurori i ka treguar një fotografi të Hajdarit në dasmën e djalit të tij. Syla ka thënë se nuk e mban mend.
Prokurori e ka pyetur se a e ka njohur Ibush Kllokoqin, vrasjen e të cilit në vitin 1999 e ka marrë përsipër Nazim Bllaca. Syla për të ka thënë se e ka dëgjuar vetëm si emër që punonte në shërbimet e Jugosllavisë. /Telegrafi/