Tiranë, 23 janar - Tre viktimat e demonstratës para Kryeministrisë janë qëlluar me plumba të kalibrit 9 milimetër. Ky është konkluzioni i dalë nga ekspertiza e policisë, e cila ka nxjerrë plumbat nga kufomat në Mjekësinë Ligjore. Plumba të këtij kalibri qëllohen jo vetëm nga pistoletat, por edhe nga armë automatike dhe snajperë për distancë të shkurtër.
Nga të dhënat e deritanishme të hetimit, mësohet se të tre viktimat janë dërguar në morgun e Tiranës, ku ekspertët mjekoligjorë kanë nxjerrë nga trupat e tyre plumbat e marrë në demonstratë. Nga të dhënat e mjekësisë ligjore mësohet se dy prej tyre janë vrarë me plumba në trup, të cilët kanë pasur më shumë se një plumb, por nuk jepen detaje të hollësishme. Ndërsa, i treti është vrarë me plumb në kokë, ashtu siç shihet qartë edhe nga pamjet në video të regjistruara gjatë demonstratës. Sipas ekspertëve mjekoligjorë, ata janë qëlluar nga një distancë 10-20 metra.
Plumbat e sekuestruar i janë dhënë ekspertëve të policisë dhe rezulton se të gjithë janë të të njëjtit kalibër. Nga ekspertët mësohet se ata janë të kalibrit 9 milimetër, që përdoret nga disa armë. Kryesisht, këta fishekë përdoren nga pistoleta. Tre nga llojet e pistoletave që përdoren janë “Parabel”, “Makarvo” dhe “Beretta”. Plumbat e këtij lloji kalibri përdoren për distanca të shkurtra. Ndërkaq, një fakt tjetër interesant vihet në dukje nga ekspertët, pasi fishekët e kalibrit 9 milimetër përdoren edhe për armë automatike. Një nga këto armë është ajo e llojit “PMSH”, që siç shpjegojnë specialistët, përdoret nga Garda e Republikës.
Por, këta lloj plumbash përdoren edhe për snajperë për distancë të shkurtër. Nëse këta snajperë përdoren në Shqipëri, nuk ka të dhëna, pasi policia dhe Garda e Republikës janë treguar të rezervuar për të dhënë shpjegime mbi këtë fakt.
Por, gazeta Shqip ka arritur të mbledhë disa dëshmi tronditëse nga punonjësit e Gardës së Republikës, të cilët kanë rrëfyer se plumbat manovër kanë mbaruar shumë shpejt dhe më vonë është qëlluar me plumba të vërtetë. Sipas të dhënave, rreth orës 14:30, në Kryeministri ka mbërritur kryeministri Sali Berisha. Në këtë kohë, kordonët dhe grupet e ruajtjes së godinës kanë qenë të pranishme në çdo kat. Sipas disa dëshmive, vetëm kur kanë ndodhur të shtënat e para, punonjësit e Gardës kanë pasur plumba manovër, pasi u ishte vënë në dispozicion nga një karikator. Më pas, ata kanë qëlluar me plumba të vërtetë. Madje, kjo mund të shihet edhe në pamjet e sekuestruara nga prokuroria, të regjistruara nga vetë punonjësit e Gardës. Gjithashtu, gjatë të shtënave, disa gardistë kanë humbur toruan dhe janë qetësuar vetëm pas tërheqjes së vëmendjes nga drejtuesit e grupit.
Madje, nga të shtënat janë terrorizuar punonjës privatë, që ishin në katet e larta të dy kullave binjake. Ata tregojnë se për më shumë se 10 minuta janë detyruar të qëndrojnë poshtë tavolinave të punës, pasi të gjithë plumbat e qëlluar nga Garda dhe nga policia mbërrinin në zyrat e tyre.