Tokio, 29 mars – Sasi të konsiderueshme të plutoniumit janë zbuluar të martën në afërsi të kompleksit bërthamor japonez “Fukushima”, duke e rritur kështu shkallën e alarmit, ndërsa Japonia përballet me krizën më të rëndë bërthamore në 25 vjetët e fundit. Qeveria ka shpallur gjendje gatishmërie maksimale pas evidentimit të rrjedhjes, ndërsa përballet me presionin e shtuar për zgjerimin e zonës së evakuimit përreth fabrikës.
Disa ligjvënës të opozitës e akuzuan kryeministrin, Naoto Kan, për mënyrën sesi e ka menaxhuar katastrofën dhe për mozgjerimin e zonës së evakuimit. Kan tha se është për një avancim hap pas hapi, i cili do t’i nxiste rreth 130.000 njerëz të zhvendosen nga shtëpitë e tyre, përveç atyre 70.000 të tjerëve që tashmë kanë ikur.
Sipas Kan, plutoniumi është gjendur në tokën përreth centralit bërthamor, ndërsa nga reaktori aktualisht po rrjedh edhe një sasi e madhe e ujit radioaktiv. Duke folur para anëtarëve të Parlamentit, Kan tha se situata në centralin “Fukushima” “është e paparashikueshme”.
“Qeveria ndodhet në një situatë të gatishmërisë maksimale dhe do të bëjë gjithçka që ky problem të zgjidhet”, ka thënë kryeministri dhe ka shtuar se ka kërkuar mendimin e ekspertëve nëse do të duhej zgjeruar apo jo zona e evakuimeve.
Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Yukio Edano, ka thënë në një konferencë për gazetarë se situata në “Fukushima” është “shumë e rëndë”. Sipas tij, uji radioaktiv për të parën herë u zbulua jashtë një reaktori në “Fukushima”. Rrjedhja në tubel, i cili është i lidhur me reaktorë të tjerë, ka shtuar frikën se lëndë radioaktive do të mund të depërtonin edhe në tokë dhe det.
Drama në fabrikën bërthamore japoneze me gjashtë reaktorë ka zhytur Japoninë në agoni, pasi tërmeti dhe cunami fatal i 11 marsit lanë të vdekur apo të zhdukur me shumë se 28.000 persona në veriun e shkatërruar. Në shenjë mbështetjeje, Franca ka dërguar dy ekspertë bërthamorë në Japoni për të ndihmuar në kapërcimin e situatës, ndërsa presidenti, Nicolas Sarkozy, do të vizitojë vendin të mërkurën.
Franca është një prej shteteve që varet më së shumti nga energjia bërthamore, duke prodhuar më shumë se 75 për qind të energjisë së domosdoshme të saj nga gjithsej 58 reaktorë bërthamorë sa ka.