Aleanca Kosova e Re ua ka vënë syrin ministrive që lidhen me ekonominë. Në raundin e dytë të “negociatave” për ndarje të pushtetit konform zhvillimeve të fundit, pas largimit të Behgjet Pacollit nga Presidenca, AKR-ja pritet t’i kërkojë Hashim Thaçit që t’i tërheqë njerëzit e tij nga dikasteret që kanë të bëjnë me ekonominë, për t’ua liruar vendet atyre të AKR-së.
Se kjo ka për të ndodhur nga e hëna e kësaj jave dhe ditëve në vijim e ka konfirmuar të dielën ushtruesi i detyrës së presidentit të AKR-së, Ibrahim Makolli.
“Për shkak të programit që ne e kemi do të fokusohemi në ministritë që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me ekonominë”, ka treguar ai kërkesën e partisë së tij. “Por, megjithatë, kjo mbetet të bisedohet”.
Makolli nuk ka dashur ta zërë në gojë emrin e asnjërës nga ministritë që lidhen me ekonominë e me të cilat në Qeverinë e Kosovës udhëheq PDK-ja: Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Financave dhe ajo e Infrastrukturës, shkruan Koha.
Udhëheqësi aktual i AKR-së ka thënë se të dielën nuk ka pasur takime midis drejtuesve të partisë ku ai është dhe asaj të PDK-së. “Ka qenë vikend dhe nuk kemi pasur ndonjë takim”, ka thënë ai. “Besoj që ditëve të ardhshme do të ketë: nesër, pasnesër”.
Makolli ka treguar që në parim PDK-ja dhe AKR-ja janë pajtuar që kjo e fundit të ketë në Qeveri dy ministra dhe tre zëvendësministra plus. “Ne në parim jemi pajtuar që për shkak të gjendjes së re të krijuar ku AKR-ja s’e ka më postin e presidentit që ka qenë pjesë e marrëveshjes, që të ketë një rishikim se çka do të kenë partnerët e koalicionit dhe jemi dakorduar që AKR-së t’i takojnë të udhëheqë me plus dy ministri dhe t’i ketë tre zëvendësministra, që i bie të kemi gjithsej tetë poste të zëvendësministrave dhe pesë ministri”, ka thënë ai. Makolli i ka klasifikuar të pasakta raportimet nëpër media për emrat e atyre që do të mund të bëheshin ministra e zëvendësministra, përfshirë edhe të atij vetë, duke thënë se në AKR ende nuk është diskutuar për këtë çështje.
Në anën tjetër nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, kërkesën e partnerit në koalicion për lirim të ministrive që lidhen me ekonominë e ka parë në kuadër të “kërkesave të mëdha” që bëhen në negociata.
Drejtuesit e PDK-së dhe ata të AKR-së negociatat për ndarjen e re të pushtetit i kanë nisur të shtunën. /Telegrafi/