Presidentja, Atifete Jahjaga iu drejtua me një telegram pjesëmarrësve të Akademisë përkujtimore me rastin e përvjetorit të rënies së Heroit të Kombit, Agim Ramadani, duke vlerësuar se Republika e Kosovës ecë suksesshëm në rrugën e integrimeve euroatlantike, duke pasur udhërrëfyes veprën e ushtarëve të lirisë, angazhimin ushtarak të NATO-s, përkrahjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të shteteve të Bashkimit Evropian, si dhe ndërtimin e një shoqërie demokratike.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga iu drejtua me një telegram pjesëmarrësve të Akademisë përkujtimore me rastin e përvjetorit të rënies së Heroit të Kombit, Agim Ramadani, që u mbajt në kuadër të Manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”, i cili organizohet në patronazhin e Presidentes së Kosovës.
Në telegramin e presidentes Jahjaga thuhet se manifestimi tradicional “Ditët e Shqipes” ka për qëllim të përkujtojë një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë, një nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Betejën e Koshares dhe operacionin “Shigjeta” të zhvilluar nën Komandën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në të cilën betejë u thye kufiri shtetëror në drejtim të Jugosllavisë.
“Kjo betejë dëshmoi organizimin e luftëtarëve të lirisë, përkushtimin dhe angazhimin që të çlirojnë çdo pëllëmbë të atdheut. Rruga e lavdishme e Brigadës 138 të UÇK-s, rënia për liri e 114 ushtarëve të saj, është e njëjtë me rrugën e të gjitha Brigadave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që të përbëra nga bijat dhe bijtë më të mirë të Kosovës zhvilluan operacione luftarake, të mbështetura nga populli, në gjithë territorin, që sollën lirinë dhe shpalljen e pavarësisë dhe ndërtimin e shtetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në telegram.
Më tej vlerësohet se me krenari dhe respekt kujtohen të gjithë luftëtarët e lirisë, të gjithë të rënët në altarin e atdheut, të gjithë invalidët dhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ne sot, pikërisht në ditën e përvjetorit të rënies, e kujtojmë komandantin Agim Ramadani, një ushtarak, një poet, një piktor, i cili në thirrjen e atdheut dha shembullin më të mirë si luftohet dhe si ngadhënjehet mbi armikun. Më 19 prill do të përkujtojmë edhe përvjetorin e rënies së komandantit Sali Çeku, juristit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare. Të dy këta Heronj të Kombit, së bashku me mijëra ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u bënë simbole të rezistencës sonë shekullore për liri, për barazi, për demokraci”, shprehet Jahjaga.
Më tej presidentja tha se Republika e Kosovës në rrugën e saj të integrimeve euroatlantike, që është synim i të gjithë qytetarëve të saj, shkon suksesshëm vetëm duke pasur udhërrëfyes veprën e këtyre ushtarëve të lirisë, angazhimin ushtarak të NATO-s dhe përkrahjen dhe ndihmën e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të shteteve të Bashkimit Evropian, si dhe ndërtimin e një shoqërie demokratike, të lirë, me sundim të ligjit, me ekonomi të zhvilluar, me arsim dhe shëndetësi të përparuar. /Telegrafi/