LDD e shqetësuar me përkeqësimin e lirisë së shtypit
Përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Dardanisë u shprehen të premten tejet të shqetësuar me faktin se liria e shtypit në Kosovë, sipas organizatave ndërkombëtare është duke u përkeqësuar, ndërkaq duke folur për gjendjen aktuale, nënkryetari i kësaj partie, Naser Rugova tha se kryeministri Thaçi e ka humbur të drejtën morale që në këtë raport forcash dhe në këto zhvillime edhe më tutje të tentojë ta mbajë në këmbë qeverinë.
Nënkryetari i LDD-së, Naser Rugova në një konferencë për media theksoi se LDD konsideron se dalja e LDK-së nga koalicioni është vetëm formalitet, përderisa LDK nuk ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit e as votëbesimin e qeverisë.
“Vitin e kaluar Kosova ishte në vendin e 75. Ky zhvillim është një tregues shumë i keq për demokracinë dhe zhvillimin e shtetit. LDD konsideron se përgjegjësia për këtë është e koalicionit PDK-LDK që e ka qeverisur vendin. LDD konsideron se zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme janë zgjidhja e vetme nga kriza institucionale e shkaktuar nga LDK-ja”, tha nënkryetari Rugova.
Rugova më tej tha se sikur LDK të ishte e sinqertë në qëllimet e veta, atëherë nuk do të lejonte këtë qeveri të mbijetonte as edhe për një dite të vetme.
Sipas kësaj partie, qëllimi i ish presidentit Fatmir Sejdiu që të shtirret si opozitë është hipokrizi sepse po i njëjti dhe partia e tij që tri vite me radhë kanë shfrytëzuar të gjitha privilegjet e qeverisjes, duke përfshirë këtu shantazhet dhe presionet mbi stafin civil që nuk i ka takuar LDK-së.
“Rugova ka vlerësuar se nga këto sjellje të qeveritarëve të LDK më së shumti është dëmtuar LDD pasi që me qindra anëtar të LDD-së janë larguar nga puna”, theksoi Rugova.
LDD më tej konsideroi se kryeministri Thaçi e ka humbur të drejtën morale që në këtë raport forcash dhe në këto zhvillime edhe më tutje të tentoj ta mbajë në këmbë qeverinë.
“LDD e fton kryeministrin që të sillet konform realitetit. Konsiderojmë se qëndrimi në pushtet në këto rrethana nuk është aspak i moralshëm”, tha Rugova.
Ndryshe, u njoftua se në këtë parti kanë aderuar 15 vetë, në mesin e të cilëve janë edhe Ali Retica, zyrtar i larte për informim nga AKR, Nexhmedin Bajrami, kryetar i degës se Partisë së Drejtësisë ne Ferizaj dhe Jonuz Zhinipotoku, anëtar i deritashëm i PDK-së.