Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka njoftuar se në Zubin Potok, zyrat e Gjykatës Komunale dhe të asaj për Kundërvajtje janë uzurpuar nga njësitë e mjekësisë familjare serbe, struktura të administruara nga Beogradi zyrtar.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Enver Peci, i tha Radios Evropa e Lirë se në disa pjesë të lokaleve të sistemit të drejtësisë janë vendosur ordinanca shëndetësore. Duke u bazuar në këto informacione që ka marrë Këshilli Gjyqësor, Peci tha se është kërkuar nga EULEX- i që të marrë masa dhe objekti të vazhdojë të jetë pronë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
“Unë i kam dërguar EULEX-it një letër - pasi ai është përgjegjës për sigurinë në atë pjesë - në mënyrë që të verifikohen faktet dhe të lirohet ajo pjesë e gjykatës, sepse është pjesë e Këshillit Gjyqësor. Një veprim i tillë nuk përputhet me asgjë... Aty ka pasur edhe dosje; ne duhet të kujdesemi për pronën e gjithashtu edhe për lëndët që kanë qenë aty”, u shpreh Peci.
Sqarimet nga misioni evropian për sundimin e ligjit nuk kanë arritur, duke qenë se dita e sotme është festë zyrtare në Kosovë. Deri më tash, sipas Pecit, EULEX-i nuk i është përgjigjur letrës, me të cilën i është drejtuar Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Nga ana tjetër, Millan Jakovleviq, drejtor i Qendrës Shëndetësore në veri të Mitrovicës, konfirmoi hapjen e qendrës shëndetësore në Zubin Potok, por mohoi se kjo qendër do të hapet në objektet e gjykatave. “Jo, nuk është e vërtetë. Kush ju ka dhënë këtë informacion? Ne do të fillojmë me punën në qendrën shëndetësore në Zubin Potok. Komuna e Zubin Potokut i ka ndarë disa dhoma në ndërtesën e saj për personelin tonë. Unë e di që këto janë dhomat e komunës”, tha Jakovlevic.
Autoritetet e rendit në Mitrovicë thonë se kanë informacione jozyrtare lidhur me uzurpimin e gjykatave në veri. Por, sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, policia nuk ka pasur asnjë angazhim deri më tash lidhur me rastin.
Sido që të jetë, lidhur me këtë rast, edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë deklaruar se nuk do të lejojnë tjetërsimin e pronave në veri të vendit, ndonëse nuk kanë sqaruar se me çfarë mjetesh do ta parandalojnë një gjë të këtillë. /Telegrafi/