Të martën në mesditë në Prishtinë, në sheshin “Nëna Terezë”, si dhe në Sarajevë, Lubjanë, Zagreb, Banja Llukë, Beograd, Shkup dhe Podgoricë, fillon fushata më e madhe rajonale ndonjëherë e realizuar, gjatë së cilës do të mblidhen një milion nënshkrime të përkrahjes për themelimin e Komisionit Rajonal për vërtetimin e fakteve për krimet e luftërave dhe shkeljeve të tjera të rënda të drejtave të njeriut, të kryera në hapësirën e ish-RSFJ-së gjatë periudhës kohore 1991-2001 (KOMRA).
Në aksionin e titulluar “Një milion nënshkrime për KOMRA” në tetë qytete të rajonit do të marrin pjesë 500 vullnetarë dhe vullnetare deri sa mijëra të rinj do të bartin fushatën e mbledhjes së nënshkrimeve të cilën do ta koordinojë nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut e cila në të gjitha shtetet trashëgimtare të RSFJ-së do të zgjasë deri më 6 qershor.
Nënshkrimet në Kosovë do të mblidhen në rrugët e qyteteve nëpër tenda, por edhe në kuadër të fushatës “derë më derë”.
Dhjetë vite nga përfundimi i konflikteve të armatosura në hapësirën e ish-SFRJ-së në asnjërën nga këto shtete nuk është bërë regjistrimi i të vrarëve në luftë ndërsa më shumë se 15 mijë persona ende konsiderohen si të zhdukur. Viktimat janë të margjinalizuara, zëri i tyre rrallë dëgjohet në publik, ndërsa me numrin e të vrarëve shpesh manipulohet për qëllime politike.
Këto dhe shumë arsye tjera kanë shtyrë më shumë se 1.500 shoqata dhe individë të të gjitha nacionaliteteve dhe religjioneve nga hapësira e ish-RSFJ-së, të mbledhura në Koalicionin për KOMRA të avokojnë krijimin e një komisioni të pavarur ndërshtetëror si trupë jashtëgjyqësore e cila duhet të vërtetojë dhe t’i prezantojë publikisht faktet mbi ngjarjet e luftërave të kaluara. Në mesin e tyre ka shoqata të viktimave, të zhdukurve, veteranë, llogorash, gazetarë, bashkësive të pakicave, organizatave për të drejtat e njeriut.
Komisioni përmes dëgjimeve publike të dëshmive të viktimave do të ndihmojë që në regjion të dëgjohet zëri i tyre, dhe se në këtë mënyrë publiku të nxitet në bashkëndjesi, respekt dhe solidaritet me viktimat nga të gjitha grupet etnike. Në raportin e saj përfundimtar do të duhej të përgatitet regjistri i të vrarëve, dhe të zhdukurve, varrezave masive, llogoreve dhe vendeve tjera të ndalesës. /Telegrafi/