Regjistrimi i popullsisë në Kosovë ka nxjerrë në shesh edhe një varg parregullsish që e kanë karakterizuar procesin e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Epitetin e “hajnisë” së votave tashmë ia ka shtuar edhe regjistrimi i popullsisë, i cili po nxjerr në total, pothuajse sa banorë rezidentë aq edhe votues të zgjedhjeve të fundit.
Ende pa dalë në publik rezultatet “preliminare” të regjistrimit të popullsisë, burime të “Zërit” brenda Entit të Statistikave të Kosovës deklarojnë se popullsia në Kosovë nuk kalon mbi 1.8 milionë banorë, ndërsa në zgjedhjet e fundit parlamentare të drejtë vote kanë pasur 1.63 milionë qytetarë.
Burime brenda ESK-së kanë thënë se nga 99 për qind e regjistrimit në Kosovë, numri i banorëve është rreth 1. 8 milion, duke i përjashtuar komunat e veriut që nuk janë regjistruar, e që numri i tyre llogaritet të jetë rreth 60 mijë persona. Ndërsa bazuar në deklaratat e demografëve se strukturën e popullsisë në Kosovës e përbejnë 70 për qind nën moshën 30- vjeçare, del se më shumë se 500 mijë banorë nuk kanë të drejtë vote.
Prandaj, shifrat prej 1.6 milionë banorësh dalin të fryra jashtë mase.
“Lista e votuesve nga KQZ-ja as përafërsisht nuk është e saktë as në nivel Kosove e as për Prishtinën. Ajo listë nuk është e qëndrueshme aspak dhe është skajshmërisht e pasaktë”, ka thënë ky burim brenda Entit të Statistikave.
Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se njëra prej listave duhet të jetë e pasaktë, mirëpo sipas tij, derisa nuk përfundon i gjithë procesi i regjistrimit nuk mund të komentohet një gjë e tillë.
Kurse nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Amet Isufi, konsideron se Qeveria e Kosovës ka hyrë e papërgatitur në procesin e regjistrimit të popullatës në vend.
Sipas tij, kjo shifër nuk është përgjigje e mirë e asaj që është dashur të ndodhë me regjistrimin e popullatës. Ahmeti konsideron se me këtë regjistrim është lënë anash mërgata e Kosovës dhe kjo mund të jetë edhe një faktor ku lista e votuesve dhe lista e përgjithshme e regjistrimit nuk korrespondojnë.
“Mirëpo edhe regjistrimi në nivel Kosove nuk ka qenë në shkallën e kënaqshme për shkak të mospërgatitjes së duhur brenda këtij afati të shkurtër kohor”, ka thënë Isufi duke shtuar se shifra prej 1.8 milionëshe është në disproporcion me atë që konsiderohet regjistrim i mirëfilltë.
Nga ana tjetër Mazllum Baraliu vlerëson se kjo shifër kaq e vogël ka qenë e paravlerësuar për arsye se sistemi dhe metodologjia e propozuar, hartuar dhe e monitoruar nga ndërkombëtarët, ka qenë e gabuar dhe diskriminuese. Pasi që, sipas tij, kjo metodologji ka lënë anash mundësinë që të gjithë qytetarët që janë me të drejta legjitime e civile të Kosovës të mos përfshihen në regjistrim.
Shpërputhjen ndërmjet banorëve rezidentë dhe votuesve, Baraliu e arsyeton me mospërfshirjen e mërgatës në regjistrim. Sipas tij, në listën e votuesve janë përfshirë të gjithë qytetarët, edhe ata që jetojnë në diasporë, prandaj ka një numër të madh votuesish. /Telegrafi/