Një informate jo-zyrtare të cilën Telegrafi.com e ka siguruar
nga burime brenda kompanisë IPKO, thuhet se ky operator mobil kosovar së
shpejti do të ketë në dyqanet e saj telefonat më të rinj, të cilët do
t’i ofrojë për konsumatorët e saj të telefonisë mobile.Pritjes
së gjatë për modelet e fundit të telefonave mobil me sa duket po i vjen
fundi, pasi që lajmi vjen nga burime të besueshme brenda kompanisë
IPKO.
Sipas këtij burimi thuhet se IPKO do të ketë modele të telefonave të
mençur nga prodhuesit më të famshëm në botë, si Nokia, HTC apo Samsung,
ndërsa telefonat do të jenë të serive të fundit dhe do të përfshijnë
karakteristika të avancuara si ekranin e ndjeshëm në prekje, sistemin
operativ Android, Symbian, Bada dhe opsione tjera që vijnë në këto
pajisje.
Burime të PC World Albanian madje thonë se në mesin e modeleve të
reja që IPKO do t’i ofrojë, do të jetë edhe telefoni më i ri i Samsung,
përkatësisht telefoni i mençur Samsung Galaxy SII, i cili në vlerësimet e
analistëve të teknologjisë në botë merr 9.9 nga 10 pikë, që mund t’i
jepen një pajisje teknologjike.
Ndërkohë, lexuesit e Telegrafi.com së fundmi kanë pasur rastin të
lexojnë lajmin për Samsung Galaxy SII, për të cilin Samsung ka thënë se
do ta shpërndajë në 120 vende të botës dhe në më shumë se 140 operator
të telefonisë mobile.
Kjo na jep edhe një arsye më shumë për të besuar se IPKO do të jetë
në mesin e operatorëve mobil botëror, të cilët e kanë privilegjin ta
shesin një telefon kaq të avancuar sa është Samsung Galaxy SII.
Për më shumë, mësohet se telefonat e rinj që do të ofrohen për
konsumatorët kosovar do të përmbajnë edhe minuta dhe internet në mobil,
si dhe mundësi të tjera të cilat vijnë në planet tarifore të dizajnuara
nga operatori, ndërsa ende nuk dihen detaje për çmimin dhe formën e
shitjes së këtyre telefonave.
Edhe pse lajmi ende nuk është bërë zyrtar nga asnjë përfaqësues i
autorizuar i kompanisë IPKO, ne besojmë se një ofertë e tillë do të
ofrohet nga IPKO, e cila siç thotë shpesh, është e para sa i përket
sasisë së produkteve dhe shërbimeve si dhe inovacionit që ajo sjell për
konsumatorët e saj ekzistues dhe ata potencial.
/ Telegrafi /