Flamuri i Serbisë, mbishkrimi “Republika Serbija” dhe disa zyre në objektin e KK-së në Shtërpcë, që mbahen ende nga strukturat paralele, ishin “mollë sherri” mes këshilltarit të Kuvendit të Shtërpcës, Ali Halimi dhe këshilltarit të kryetarit të Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, të martën në mbledhjen e Kuvendit Komunal.
Ndonëse seanca e Kuvendit rrodhi mirë deri në fund, në pikën: të ndryshme, Ali Halimi që vjen nga Partia Socialiste e Kosovës ka kritikuar ekzekutivin e Komunës se ende nuk e ka hequr flamurin e Serbisë në hyrje të ndërtesës komunale dhe se po i mban edhe më tej strukturat paralele në ndërtesën e Komunës, njofton Koha.
“Çështja e përdorimit të flamujve në Komunë dhe strukturat paralele nëpër disa zyre të ndërtesës komunale, janë shumë të ndjeshme dhe mendoj se nuk duhet t’u ikim këtyre problemeve. Kërkoj që në seancën e ardhshme të diskutohet kjo gjë në mënyrë që të hiqen ato”, ka thënë këshilltari Halimi.
I menjëhershëm ka qenë këshilltari i kryetarit të Shtërpcës, Dalibor Jevtic, i cili tha se të gjitha problemet e grumbulluar për shumë vjet me radhë nuk mund të zgjidhen brenda një afati të shkurtër kohor, ndërkaq që i tha këshilltarit Ali Halimi se i njëjti flamur (i Serbisë) ka qenë edhe në kohën kur ai ishte nënkryetar i Komunës.
“Strukturat paralele janë zgjedhur nga njerëzit që i kanë votuar ato dhe bile edhe para syve të bashkësisë ndërkombëtare dhe askush s’i ka penguar. Sa i përket simboleve në hyrje, edhe juve s’ju kanë penguar sa ishit në organin ekzekutiv”, i tha Halimit Jevtic.
Ai, më tej ka thënë se askush nuk duhet t’i kontribuojë prishjes së stabilitetit politik dhe sigurisë në Shtërpcë dhe se disa çështje me rëndësi të veçantë do të diskutohen edhe në dialogun Kosovë-Serbi, mirëpo këshilltari Ali Halimi tha se shtetet i kanë punët e veta dhe se problemet brenda komunave i zgjidhin përfaqësuesit komunalë.
“Nga viti 2008, kur unë isha nënkryetar komune e deri më sot gjërat kanë ndryshuar mjaft shumë dhe nuk mund të bëhet krahasim mes asaj kohe dhe se tashmes. Atëherë serbët kishin bojkotuar institucionet e Republikës së Kosovës, ndërsa tash po flitet për integrim. Kësaj çështje nuk duhet t’i japim karakter të prishjes së qetësisë në Shtërpcë, por ta kuptojmë si një obligim para qytetarëve”, ka thënë Halimi.
Në ndërkohë të dy këshilltarët, njëri i Kuvendit Komunal dhe tjetri i kryetarit të Komunës, debatin e tyre e shndërruan në një dialog mjaft verbal, duke u marrë edhe me akuza personale të ndërsjella, saqë kryesuesi i Kuvendit, Dejan Mërgjinac, mezi ia dha fjalën për replikë Ali Halimit. /Telegrafi/