Udhëheqësi i ekipit negociator të Serbisë, Borislav Stefanovic gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë do të mundohet t’i bindë zyrtarët dhe qytetarët e Kosovës se Beogradi ka ndryshuar, pavarësisht nga fakti që mban qëndrim të ngurtë kundruall pavarësisë së Kosovës.
Sipas tij, Prishtina është vendi i duhur për reflektimin e maturisë dhe konstruktivitetit të të dyja palëve para partnerëve evropianë, ku mund të jepen sinjalet se Beogradi dhe Prishtina mund t’i zgjidhin bashkë problemet ekzistuese, përmes dialogut.
Mirëpo, ai është i bindur se të gjitha “rrugët e Prishtinës kalojnë nga Beogradi”.
“Kosova nuk mund të përmbushë pavarësinë e saj pa çelësin e Beogradit, nuk mund të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare pa ne, dhe pa marrëveshjen me Beogradin nuk do të ketë rrugë të qëndrueshme drejt Evropës”, ka thënë Stefanovic në një intervistë për Kohën Ditore.
Gjithashtu ai ka konstatuar se “veriu i Kosovës është çelësi i zgjidhjes së problemit të Kosovës”, dhe se të gjithë ata që nuk e pranojnë këtë fakt e gënjejnë veten.
Në të njëjtën kohë ai ka paraqitur qëndrimin se Prishtina e Beogradi kanë arritur përfarim të qëndrimeve në disa çështje dhe se përmbyllja e marrëveshjeve të para mund të ndodh në shtator të këtij viti.
Zyrtari i lartë serb ka pranuar se ka ndjekur procedurën e rregullt për realizimin e vizitës zyrtare në Prishtinë, përmes së cilës synon që të përcjellë porosinë se shqiptarët e Kosovës të mos kenë nivel të lartë të mosbesueshmërisë në ofertat e fundit të Beogradit.
“Ndërmjet tjerash vizita ime në Prishtinë duhet të ndihmojë që këto dyshime të zvogëlohen”, ka thënë Stefanovic.
Ndryshe, është thënë se shefi i ekipit negociator të Beogradit në dialogun me Prishtinën, Stefanovic udhëton sot në Prishtinë në përcjellje të dy bashkëpunëtorëve, pa siguri personale.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi do ta atë të enjten në Zyrën e tij. Por dyert e Kuvendit nuk do të hapen për zyrtarin serb, pasi kryeparlamentari Jakup Krasniqi nuk do ta rezervojë në agjendën e së enjtes një termin për të. /Telegrafi/