Përplasjet publike mes institucioneve kosovare dhe EULEX-it, sipas analistëve, burimin e kanë te qëndrimi neutral që misioni evropian po mban ndaj statusit. Për shkak të këtij qëndrimi, thuhet se misioni evropian nuk po përmbushë mandatin dhe nuk po e shtrin sundimin e ligjit në veri. EULEX-i hedh poshtë kritikat dhe numëron ato që i quan arritje.
E keqja më e madhe, sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, është qasja neutrale që EULEX-i mban ndaj statusit. “Një e keqe, apo nga fillimi që ka derivuar në këtë keqkuptim, është neutraliteti, apo mosnjohja e Kosovës. Mendoj se kjo nuk është gjë e mirë, sepse nga kjo derivojnë shumë keqkuptime e mes saj edhe mosrespektimi i ligjeve vendore në disa raste”, ka thënë Ibishi për Radion Evropa e Lirë, i cili rekomandon institucionet të flasin hapur me EULEX-in, para se ta akuzojnë atë përmes mediave.
Kritikat drejtuar EULEX-it, për drejtorin e Hulumtimeve në Iniciativën Kosovare për Stabilitet, Arbër Gorani, i bëjnë mirë edhe vetë misionit evropian. Ai shpreh shqetësimin për mospërmbushjen e mandatit të misionit evropian në veri. “Unë nuk do të brengosesha për ‘konfliktet’, por për atë se sa do ta përmbushin mandatin. Dihet situata në veri, gjykata atje nuk është funksionale, e që është shkelje e të drejtave të njeriut. Unë do të shihja në këtë kontekst”, thekson Gorani.
Por zëdhënësi i EULEX-it, Nick Hauton, ka deklaruar se EULEX-i po e përmbush mandatin çdo ditë. “EULEX-i gjendet në gjykata, në polici, në dogana dhe po ndihmojmë që të përmirësohet rendi dhe ligji. Kritikat se nuk po e përmbushim misionin dhe mandatin janë të gabuara. Gjithmonë ka hapësirë për përmirësime në secilën organizatë, por është gabim të thuhet se nuk po e bëjmë atë që duhet, sepse këtë po e kryejmë që kur kemi ardhur”, ka thënë Hauton.
Institucionet e Kosovës e kanë ftuar vetë EULEX-in, synimi kryesor i të cilit është t’i ndihmojë dhe mbështesë autoritetet kosovare në fushën e sundimit të ligjit, posaçërisht në fushën e policisë, gjyqësisë dhe doganave. Ndërkohë, kritikat më të mëdha ndaj EULEX-it kanë të bëjnë me mosefikasitet në veri të Kosovës, mungesën e llogaridhënies institucioneve të Kosovës, si dhe mosnënshtrimit ndaj ligjeve kosovare. /Telegrafi/