Shkup, 2 shkurt - Maqedonia për vitin 2011 e ka lënë mënjanë korridorin 8, ndërsa investimet do t’i përqendrojë sërish në Korridorin 10. Për Korridorin 8, i cili lidh Maqedoninë me Shqipërinë dhe Bullgarinë, si dhe siguron qarkullim më të shpejtë të mallrave, drejt porteve të këtyre vendeve, as që flitet. Në Korridorin 8 deri më tani nuk ka pasur asnjë lloj investimi serioz, shkruan “Lajm” i Shkupit
Eksperti çështjeve ekonomike, profesor Abdulmenaf Bexheti thotë se në perspektivën ekonomike, Korridori 8 është më i rëndësishëm, por në perspektivën politike të Maqedonisë, padyshim që dhjetëshja mbetet prioritet. "Shtylla Beograd - Athinë akoma ka më shumë prioritet në krahasim me shtyllën Tiranë - Sofje. Domethënë nëse i referohemi parametrave nga është dhe nga shkon tregu sigurisht se tregu euro-perëndimor na çon në Korridorin 8. Arsyet e natyrës ekonomike janë më shumë pro Korridorit 8, ndërsa arsyet e natyrës politike e mbajnë peng Korridorin 8 tash e 12 vite", thotë Bexheti. Nga Korridori 8 përveç rrugës Shkup -Tetovë që është ndërtuar në vitin 1999, kemi vetëm trajektoren e Shkupit. Ndërsa në Korridorin 10, kemi shumë pjesë të kompletuara të ndërtuara, si në rrafshin rrugor dhe në rrafshin e mirëmbajtjes, në atë hekurudhor edhe telekomunikativ. "Korridori është kompleks. Merrni komponentin energjetike. Në Korridorin 8 s’ka lidhje energjetike, s’ka lidhje hekurudhore", thotë Bexheti.
Agjencia për rrugë shtetërore nga 93 milionë eurot e paraparë për ndërtim rrugësh gjatë vitit 2011, në program ka rrugët Konjsko - Kozhuf, Shtip - Strumicë, Katllanovë - Veles, Tetovë - Jazhincë, Kumanovë - Likovë - Haraçinë.
Ndërkaq, ndërtimi i Rrugës së Arbrit, në pjesën e Maqedonisë do të presë edhe shumë vite. As versioni i vërtetë i këtij aksi rrugor i cili duhet të kalojë përmes Gostivarit, Mavrovës Luginës së Radikës, deri në Dibër, e as ai i ndryshuari i cili duhet të kalojë përmes Gostivarit, Kërçovës fshatit Izvor e deri në Dibër, nuk janë në agjendën e qeverisë për këtë vit. "Për korridorin 8 këtë vit do t’i përfundojmë të gjitha projektet. Do të thotë projekti ideor dhe studimi i fizibilitetit për aksin rrugor drejt Kërçovës për pjesën hekurudhore është i hartuar dhe tani bëhet rishikim i projektit dhe më pas me te do të konkurrojmë për fondet IPA", pat thënë ministri i transportit, Mile Janakievski.
Vlera e ndërtimit të rrugës Shkup-Gostivar-Dibër, kap shifrën 400 milion euro. Projekti për rrugën Gostivar- Kërçovë- Dibër, ka kaluar në qeveri para një viti dhe është parashikuar të përfundoj brenda gjashtë viteve.
Në Shqipëri situate është krejt ndryshe. Rruga e Arbrit është një ndër prioritetet e Qeverisë Berisha. Deri më tani është ndërtuar gati gjysma e rrugës, ndërsa Ministria e Transporteve ka programuar të investojë në këtë aks rreth 200 milionë euro. Për ndërtimin e rrugëve Shqipëria ka ndarë një fond pesëfish më të lartë se Maqedonia, me 400 milionë euro gjithsej.