Magazina televizive “Rundschau”, që e emeton televizioni publik i Zvicrës SF1, në edicionin e të mërkurës, ka transmetuar një dokument, që, siç pretendojnë autorët, “hedh dritë mbi akuzat për tregtinë e organeve” të ngritura në raportin e anëtarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty.
Siç raporton Albinfo.ch, e transmeton Zëri duke u mbështetur në ato që janë transmetuar në këtë mision, kësaj here, për herë të parë janë disa ushtarë të UÇK-së, të cilët dëshmojnë se kanë marrë pjesë në tregtinë e dyshuar me organe të serbëve të mbajtur në burg. Me këtë publikim, thonë autorët e emisionit, “për herë të parë një dokument zyrtar po vjen në përfundim të njëjtë në të cilin pati ardhur edhe raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty”.
Dokumenti të cilin e prezanton “Rundschau” është përpiluar në vitin 2003 dhe i takon OKB-së. Aty, ndonëse kamera nuk e fokuson, sipas asaj që përflasin autorët e emisionit, janë ish ushtarët e UÇK-së ata që “dëshmojnë se kanë transportuar nga Kosova të burgosur për në Shqipëri.
Së pari i kanë vendosur ata në burgje, mandej i kanë sjellë në afërsi të aeroportit të Tiranës. Atje janë mbytur dhe pastaj u janë marrë organet, të cilat janë bartur me aeroplan për në Stamboll. “Si në Aeroportin e Tiranës ashtu edhe në atë të Stambollit, nuk kishte probleme për transport, pasi që ata që duhej të kontrollonin, ishin korruptuar nga transportuesit”.
Raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, i kontaktuar nga gazetarët, shprehet i lehtësuar që, sipas tij, po dëshmohet vërtetësia e raportit të tij.
“Kështu po sqarohet se tregtia me organe nuk paska qenë prodhim i një raporti fantastik”, ka thënë ai. Pastaj Marty e shfrytëzon këtë rast për të sulmuar bashkësinë ndërkombëtare dhe diplomacinë zvicerane për “fshehjen” e dëshmive që dokumentojnë krimet e bëra nga UÇK-ja. E gjithë kjo, me qëllim ruajtjen e stabilitetit në Kosovë.
Këso akuzash ndaj bashkësisë ndërkombëtare, NATO-s dhe sidomos ndaj presidentes së Zvicrës Micheline Calmy Rey drejtojnë edhe autorët e emisionit, të cilët fajësojnë faktorët në fjalë për “aleancë me UÇK-në”. Kjo aleancë e lidhur qysh nga bombardimet e NATO-s mbi caqet ushtarake serbe, sipas tyre, i pengon ata që të dëshmojnë kundër krimeve të UÇK-së. Të gjitha këto akuza i konfirmon edhe ish kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, e pranishme në emision.
Ndërsa, i pyetur nga gazetarët nëse Berna zyrtare ka ditur për ekzistimin e dokumenteve të tilla në kohën kur ka njohur pavarësinë e Kosovës, Christian Meuwly, shef i sektorit të Evropës në Departamentin e Jashtëm mohon të kenë qenë në dijeni të tyre. “Ka pasur vetëm dyshime, thashetheme, akuza të ndërsjella, çfarë janë të zakonshme në vendet e Ballkanit pas përfundimit të luftës”.
Dokument i parë, sipas tij ka qenë raporti i Martyt, i publikuar në dhjetorin e kaluar. “Rundschau” në emisionin e mbrëmshëm ka marrë në thumb edhe ish shefin e parë të UNMIK-ut në Kosovë, Bernard Couchner, më vonë ministër i jashtëm i Francës. Ashtu sikurse kishte vepruar disa muaj më parë në Kosovë, Couchner edhe kësaj here, në Paris, i ka kundërshtuar ashpër akuzat e gazetarëve lidhur me “mbylljen e syve” të faktorit ndërkombëtar përballë gjoja tregtisë me organe të ushtruar nga UÇK. Ai i ka porositur ata që “të mos e bezdisin me broçkulla të tilla”.
Më tutje, për magazinën “Rundschau” flet edhe Xhavit Haliti, nënkryetar aktual i Kuvendit të Kosovës, i prezantuar si njeri me bekgraund lufte. Ai mohon çdo mundësi që në kushtet e luftës në Kosovë të ndodhnin gjërat për të cilat akuzohet UÇK.
Edhe afera me klinikën “Medicus” u shërben autorëve të emisionit që të gjejnë një lidhje tjetër me tregtinë e organeve, që pretendohet të jetë kryer në kohën e luftës.
Ndërsa emisioni përmbyllet me paralajmërimin se në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki -Moon do t’i propozojë KS-së që të nis hulumtimi i dyshimeve rreth tregtisë me organe të bërë nga ana e UÇK-së. /Telegrafi/