Ndryshimet legjislative, të cilat do të përmirësonin procesin e zgjedhjeve në Kosovë, duhet të bëhen në mënyrë e duhur dhe urgjente, vlerësojnë njohësit e sistemit zgjedhor në Kosovë. Sipas tyre, reforma zgjedhore, e cila pritet të fillojë, është komplekse dhe kërkon angazhim maksimal.
Ish-kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së dhe ekspert ligjor, Mazllum Baraliu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se për të pasur një reformë të mirëfilltë zgjedhore, duhet të angazhohen ekspertë përkatës, të cilët mund të japin kontributin e tyre duke ofruar ide që Kosova të ketë një kod zgjedhor që përshtatet me rrethanat në vend.
“Legjislacioni që ka të bëjë me zgjedhjet, është një materie mjaft komplekse dhe mjaft e papërpunuar. Është materie kontradiktore, është e mangët dhe ajo do qasje serioze reformuese që nga e para e deri në fund, në mënyrë që të kemi një kodifikim, një përmbledhje dhe rregullim të të gjithë materies zgjedhore në nivel të legjislacionit primar dhe atij sekondar”, ka thënë Baraliu.
Mirëpo, kryesuesi i Komisionit për reformën e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, deputeti Haki Demolli, konsideron se ligji nuk ka nevojë të ketë ndryshime rrënjësore, por, sipas tij, ato duhet të bëhen vetëm në ato çështje kur deri më tash është vërejtur se e kanë penguar procesin zgjedhor.
“Nuk mendoj që i tërë ligji të ndryshohet në kuptimin e përgjithshme, por vetëm ndonjë dispozitë, e cila ka të bëjë drejtpërdrejt me procesin zgjedhor. Pra, është mirë që të ndryshohet, të shqyrtohet e të shihet se cilat dispozita kanë shkaktuar problem të caktuar në zbatimin e tij, në mënyrë që të kemi solucionet finale më të përshtatshme”, ka thënë Demolli.
Mirëpo, sipas Baraliut, nëse nuk do të bëhen ndryshime rrënjësore, problemet e paraqitura gjatë zgjedhjeve të kaluara, do të paraqiten sërish.
Por, Demolli shpreh bindjen se shumë shpejt do të qartësohet plani i punës së Komisionit dhe se në këtë drejtim nuk ka ngecje.
Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, pasi ua ka dorëzuar autoriteteve kosovare rekomandimet për reforma zgjedhore, e njëjta ka theksuar rëndësinë për nisjen sa më parë të këtij procesi. /Telegrafi/