Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka
deklaruar se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë janë në interes të të
dyja vendeve dhe qytetarëve të tyre. Duke iu referuar vizitës së javës
së kaluar në Prishtinë të kreut të delegacionit serb në këto bisedime,
Borko Stefanovic, ministri Hoxhaj ka thënë se vizita të tilla zyrtare
kontribuojnë në zhvillimin e marrëdhënieve të mira me shtetet fqinjë.Hoxhaj
i bëri komentet gjatë një konference në Qendrën për Studime Strategjike
dhe Ndërkombëtare në Washington. “Ne mendojmë që dialogu mes Republikës
së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është një dialog mes dy shteteve
sovrane dhe të pavarura dhe është një dialog i filluar pas miratimit të
Rezolutës së Këshillit të Sigurimit në shtator të vitit të kaluar. Një
rezolutë e tillë i referohet mendimit këshillëdhënës të Gjykatës
Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila vendosi vitin e kaluar se shpallja e
pavarësisë së Kosovës është vendim i ligjshëm dhe jo në kundërshtim me
të drejtën ndërkombëtare, prandaj edhe korniza e dialogut zhvillohet në
këtë frymë...”, tha ministri Hoxhaj, njofton VOA.
Shefi i diplomacisë kosovare ka hedhur poshte pretendimet e Beogradit
për ndarjen e Kosovës. Hoxhaj ka thënë se negociatat e zhvilluara në
Vjenë dhe të ndërmjetësuara nga kryenegociatori ndërkombëtar Martti
Ahtisaari, e kanë bërë të qartë që çështja e statusit dhe shtetësisë
janë kapituj të mbyllur. “Për Prishtinën propozime të tilla të ndarjes
janë të papranueshme. Kosova është një shtet funksional, shumë-etnik dhe
demokratik dhe ndarja bie ndesh me interesin shtetëror të Kosovës dhe
do të kishte pasoja të tmerrshme edhe për vende të tjera të rajonit,
meqë do të krijonte një precedent që politika e ndarjes në baza etnike,
në baza territoriale të shërbente si model për zgjidhjen e problemeve të
caktuara”.
I pyetur për punën që po bën qeveria e Kosovës për vendosjen e
sundimit të ligjit në veriun e Kosovës, shpërbërjen e strukturave
paralele dhe integrimin e pakicës serbe në atë zonë, Hoxhaj tha:
“Qeveria e Republikës së Kosovës, gjatë tre viteve të fundit, ka bërë
përpjekje që ta integrojë këtë pjesë të Kosovës brenda strukturave
shtetërore të Republikës. Mendoj se atje gjendja ka filluar të
përmirësohet, megjithëse na pret punë shumë e madhe për t’u bërë dhe
ndër hapat e parë është hapja sa më e shpejtë e gjykatës në veri të
Mitrovicës, duhen shpërbërë strukturat paralele dhe duhen bërë investime
që zhvillimi ekonomik, politik dhe social të ecin paralelisht”. /Telegrafi/