Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso, ka thënë të enjten në Beograd se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është kusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, por ka porositur qeverinë serbe se problemet me Kosovën duhen zgjidhur. “Unë besoj se është e mundur të gjendet një zgjidhje pragmatike”, ka thënë ai në një konferencë për shtyp me presidentin serb, Boris Tadiq, në përfundim të vizitës së tij në Beograd. Barroso ka theksuar se është me rëndësi të gjenden zgjidhje që do ta lehtësojnë jetën e njerëzve në Kosovë dhe se kjo është e rëndësishme jo vetëm për Serbinë, Kosovën, por edhe për tërë rajonin dhe Bashkimin Evropian. “Problemet në Kosovë ekzistojnë dhe ne duhet t’i zgjidhim. Serbia është duke lënë mbrapa ngjarjet e rënda nga e kaluara dhe ne e përshëndesim këtë guxim. Ndërkaq për Kosovën duhet të gjejmë një zgjidhje pragmatike që të zgjidhim problemet për jetën e përditshme të njerëzve. Unë besoj se kjo është e mundur”, ka thënë Barroso. Ai ka theksuar se megjithatë problemi i Kosovës do të merret parasysh në procesin e përpunimit të mendimit të Komisionit Evropian në kërkesën e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “Bashkëpunimi rajonal është një pjesë integrale e procesit të stabilizim-asociimit dhe i integrimit në BE dhe kjo paraqet një nga kriteret kyç politike me rastin e përpunimit të mendimit të Komisionit Evropian”, ka thënë ai. Ndërkaq presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka thënë se pika qendrore dhe më e rëndësishme e Serbisë është të jetë anëtare e BE-së. “Ky është plan që nuk ka alternativë, që është me rëndësi për ne, për rajonin dhe për Evropën Juglindorë”, ka thënë ai duke sqaruar se Serbia nuk dëshiron të jetë barrë dhe bllokuese e rajonit. Ndonëse nuk ka qenë ditë aq pozitive për Serbinë, duke marrë parasysh edhe raportin e kryeprokurorit të Tribunalit të Hagës për krime lufte, Sherz Bramerc, i cili ka qenë negativ, Tadiq megjithatë ka thënë se shteti që ai drejton do të bëjë gjithçka për të përmbushur detyrimet e veta. “Ne jemi futur në bisedime për të zgjidhur problemet dhe nuk duam të kemi probleme të ngrira”, ka thënë ai. Presidenti serb ka theksuar se shpreson që edhe Prishtina të jetë pragmatike në bisedime dhe të tregojë vullnet të mirë për zgjidhjen e problemeve. “Ne kemi iniciuar rezolutën në bashkëpunim me 27 vendet anëtare të BE-së me qëllim që të zgjidhim një konflikt dhe jo ta bllokojmë situatën politike dhe ta ngrijmë një konflikt, sepse ky nuk është interes i Serbisë, as i qytetarëve të saj, as në Serbinë qendrore as në krahinën tonë jugore”, ka deklaruar ai. Tadiq për herë të parë ka përmendur në shenjë problemi dhe keqardhjeje problemin e vazhdueshëm dhe betejat që janë bërë lidhur me pjesëmarrjen ose jo të delegacioneve kosovare në takimet rajonale dhe ndërkombëtare. “Ne duam të zgjidhim problemet që padyshim ekzistojnë, duke filluar nga udhëtimi i qytetarëve tanë pavarësisht përkatësisë etnike, tregtia, zhvillimi i industrisë, infrastruktura, furnizimi me rrymë. Ekziston edhe problem i pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Prishtinës në takimet rajonale dhe ndërkombëtare, andaj ne kërkojmë zgjidhje që është në pajtueshmëri me interesat e dyanshme”, ka thënë ai duke shtuar se nuk do të kalojë vijat e kuqe. “Ne jemi të qartë që do të bëjmë gjithçka, por pa njohur në asnjë mënyrë Kosovën si shtet”. Barroso gjatë ditës është takuar edhe me zyrtarët e tjerë serbë dhe ka diskutuar për progresin e arritur deri tani. Ndërkaq më pas ka marrë pjesë në hapjen e Qendrës Evropiane në Beograd ku ka diskutuar me të rinjtë. Në takim me kryeministrin Mirko Cvetkoviq, kanë marrë pjesë edhe ministrat e Qeverisë së Serbisë, kurse më vonë është takuar edhe me zyrtarët e Kuvendit të Serbisë. Ai pas takimit me kryeministrin serb ka theksuar se pret rezultate konkrete deri në verë për shkak se Serbia është e bindur se do të arrijë statusin e kandidatit për integrim. “E dërgoj një porosi të qartë për qytetarët e Serbisë që Serbinë e konsiderojmë anëtare të familjes evropiane dhe të popujve evropianë. E kam mbështetur dhe lavdëruar mundimin e Serbisë për integrimin në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai. “Mund t’ju them që jeni në rrugë të mirë, por koha është duke rrjedhur dhe çelësi është në duar të Serbisë. Na duhen rezultate në të ardhmen dhe është me rëndësi që Serbia të ngelet në këtë rrugë...”, është shprehur Barroso. Ndërsa kryeministri Cvetkoviq ka premtuar se do të bëjë gjithçka që qeveria e tij të zbatojë premtimet dhe detyrat e marra. Barroso vazhdon vizitën e tij në Prishtinë, ndërkaq ajo në Tiranë është anuluar. Michael Karitsching, zëdhënës i KE, ka folur shkurt lidhur me anulimin e kësaj vizite. “Ne kemi qenë të qartë se çfarë presim lidhur me zgjedhjet lokale dhe çfarë presim lidhur me respektimin e ligjit. Ne duam që Shqipëria të arrijë një konsensus kombëtar të të gjitha palëve politike që është konstruktiv, që është i përkushtuar drejt integrimeve evropiane, sepse integrimet evropiane janë një qëllim shtetëror në Shqipëri dhe te shumica e qytetarëve atje”, ka thënë ai. “Ne ende jemi tërësisht të përkushtuar lidhur me këtë. Arsyeja pse presidenti ka udhëtuar në rajon që të sigurohet se angazhimi ynë është i qartë sa na përket neve dhe kur të kemi një atmosferë më konstruktive në Shqipëri, ne do të udhëtojmë atje”, ka theksuar Karitsching.