Pjesëmarrësit e seminarit të organizuar nga OSBE që përfundoi sot janë
pajtuar që bashkëpunimi mes gazetarëve dhe ambienti i punës i lirë nga
presioni i paligjshëm janë parakusht për raportim hulumtues të
suksesshëm.
Seminari dy-ditor për raportimin e krimit të organizuar
dhe korrupsionit i ka mbledhur gazetarët nga Prishtina dhe Beogradi, në
një projekt të përbashkët të Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Misionit
të OSBE-së në Serbi.
Pjesëmarrësit kanë dëgjuar një numër të
panelistëve që përfaqësuan agjencitë për zbatim të ligjit, organizatat e
shoqërisë civile, mediat dhe bashkësinë ndërkombëtare. Pjesa më e madhe
e diskutimeve u përqendrua në pengesa të shumta me të cilat përballen
gazetarët hulumtues, duke filluar nga presionet ekonomike deri te
kërcënimet dhe frikësimet e dukshme.
“Gazetaria hulumtuese e
suksesshme kërkon shkëmbim më të fuqishëm të informacionit dhe
rrjetëzim. Për këtë arsye bashkëpunimi është i domosdoshëm pasi që
korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk njohin kufi. Ky nuk duhet të jetë
një aktivitet i vetmuar pasi që gazetarët në tërë rajonin përballen me
shumë sfida të njëjta dhe luftojnë kërcënimet e njëjta”, tha Ambasadori
Werner Almhofer, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Seminari
është vijim i një ngjarjeje të ngjashme të organizuar në Beograd në
nëntor të vitit 2010, me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit mes
profesionistëve të mediave në gazetarinë hulumtuese. Janë planifikuar
ngjarje të ardhshme ku do të përfshihen gazetarë nga Shqipëria, Bosna e
Hercegovina, Ish- Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe Mali i Zi.
“Këto
ngjarje janë një mënyrë e mirë për të krijuar lidhje dhe marrëdhënie të
reja, të domosdoshme për ri-ndërtimin e shoqërive që kanë humbur
besimin e ndërsjellë. Mediat dhe gazetarët kanë një rol që të heqin
paragjykimet dhe të përcjellin pasqyrën reale tek njerëzit të cilët
jetojnë me probleme të njëjta ose të ngjashme”, tha Irina Ivic, një
gazetare e Radio- Televizionit të Serbisë (RTS) e cila ishte
pjesëmarrëse në seminar.
Misioni i OSBE-së në Kosovë mbështet
zhvillimin e mediave dhe ka ndihmuar themelimin e Komisionit të Pavarur
të Mediave dhe Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës, dy organe
kryesore rregulluese. Misioni po ashtu bën vlerësime periodike dhe
publikon raporte për media në Kosovë, duke përfshirë rolin e vet në
përfaqësimin e interesave të komuniteteve jo-shqiptare. OSBE do të
vazhdojë të mbështet zhvillimin e mëtejmë e gazetarisë hulumtuese në
Kosovë.