Përfaqësuesi i BE-së për veriun e Kosovës, Michael Giffoni ka
thënë se idetë për ndarje, copëtim, shkëmbim territoresh, ndryshim
kufijsh apo rivizatim hartash në Ballkan, në këtë moment nuk mund të
jenë në agjendë.Në një intervistë për Radio Kosovën, Giffoni
ka thënë se në veri nuk është e rëndësishme forca autoritative, por
dialogu i ndërsjellë.
“Është e qartë çështja e BE-së dhe gjithë institucioneve të saj atje.
Ne nuk jemi të fiksuar në çështjen e strukturave paralele atje, sepse
ne nuk i njohim këto struktura paralele. Për ne të vetmet institucione
legale me të cilat bashkëpunojmë janë institucionet e Kosovës. Sa i
përket këtyre strukturave paralele nuk mund të them nëse ato janë më
shumë apo më pak të fuqishme se më parë. Çfarë mund të them është se, në
shumë çështje të BE-së siç është p.sh. regjistrimi i popullsisë, që
pritet të fillojë këto ditë atje, ne mund të flasim për gjëra që kanë të
bëjnë me përmirësimin e jetës së njerëzve. Ne dëshirojmë që komuniteti
lokal atje të kuptoj që angazhimi i BE-së për sundimin e ligjit nuk
është vetëm EULEX-i, por të gjitha institucionet e saj”, ka thënë
Giffoni, i cili njëkohësisht është edhe ambasador i Italisë në Kosovë.
I pyetur se çfarë komenti ka lidhur me deklaratat e ministrit të
Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi se i gatshëm për të dërguar policinë
speciale në veri, nëse EULEX-i vazhdon të jetë pasiv atje, Giffoni ka
thënë se “secili bën punën e vetë atje”.
“Nuk mendoj që EULEX-i ka qenë pasiv. Ministri i Brendshëm mbase u
është referuar disa specifikave. Por, sinqerisht, mendoj se nuk duhet të
jemi të fiksuar në të treguarit e një force autoritare në veri. Çfarë
në fakt është e rëndësishme në veri nuk është forca autoritative, por
dialogu i ndërsjellë. Diskutimet dhe debatet nëse EULX-i është efektiv
ose jo, mendoj se janë probleme kallp. Mendoj se duhet fokusuar më tepër
në çështje të integrimit dhe të përmirësimit të jetës së njerëzve, jo
në një kontroll autoritativ, por, më tepër, në një kontroll të hapësirës
shoqërore”, ka thënë diplomati italian. /Telegrafi/