Ministri i FSK-së, Agim Çeku, ka vendosur që të heshtë rreth projektmemorandumit të Ministrisë së tij dhe asaj të Punëve të Brendshme, e cila do të mundësonte përdorimin e Forcës së Sigurisë për t`i kontrolluar turmat dhe protestat e mundshme.
Gazeta Koha Ditore ka provuar gjatë gjithë ditës që të bjerë në kontakt me ministrin, por janë përgjigjur këshilltarët e tij, të cilët nuk janë prezantuar dhe kanë thënë se “ministri nuk është i gatshëm të flasë për projektmemorandumin”.
Vetëm pak fjalë ka thënë edhe ministri tjetër, që bashkë me Çekun e ka planifikuar memorandumin, ai i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.
Duke u arsyetuar se është i zënë, ministri i Punëve të Brendshme është munduar që ta zhvlerësojë rëndësinë e projektmemorandumit të publikuar një ditë më parë në këtë gazetë. Ministri i Punëve të Brendshme ka thënë se projektmemorandumi i publikuar në gazetë është vetëm një ide fillestare.
“Ai dokument ka qenë vetëm një propozim fillestar. Do të përmirësohet dhe do të riformulohet. Natyrisht se për memorandumin do të pyetet edhe Këshilli i Sigurisë i Kosovës”, ka thënë ministri Rexhepi.
Por përderisa njëri ministër ka vendosur të heshtë e tjetri ta zhvlerësojë projektmemorandumin, krejt tjera reagime kanë dhënë përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë. Ata janë shprehur të shqetësuar, për shkak të mungesës së bazës ligjore që FSK-ja të bëjë një gjë të tillë, por edhe me faktin se ushtria angazhohet për të kontrolluar protestuesit dhe turmat në rrugë vetëm në vendet jodemokratike.
Në ato demokratike, një gjë e tillë ndodh vetëm kur vendi është në gjendje të jashtëzakonshme ose gjendje lufte. Gazeta ka publikuar një ditë më parë një memorandum të çuditshëm mes dy ministrive, i cili synon që të obligojë Forcën e Sigurisë të Kosovës që të ndihmojë qeverinë, gjegjësisht Ministrinë e Punëve të Brendshme në “aktivitetet për realizimin e misionit të saj”.
Sipas memorandumit, Forca e Sigurisë e Kosovës do të angazhohet edhe në “arrestimin e delikuentëve dhe mbajtjen e tyre derisa t’i dorëzohen policisë”, por edhe për “menaxhimin e situatave që dalin jashtë kontrollit” dhe “kontrollimin e turmave në rrugë dhe në tubime”.
Zëdhënësi i KFOR-it, Hans-Dieter Wichter, ka thënë se marrëveshjet dhe aranzhmanet aktuale nuk i lejojnë FSK-së që të merret me kontrolle turmash apo protestash.
Zyra Civile Ndërkombëtare, që mbikëqyr pavarësinë dhe zbatimin e Pakos së Ahtisaarit, ka tërhequr vërejtjet se FSK-ja nuk mund t`i tejkalojë kopmpetencat që i janë parashikuar nga ish-presidenti finlandez Marti Ahtisaari. /Telegrafi/