Prej 15 qershorit e deri në një vendim të ri, qarkullimi i qytetarëve në
vendkalimin kufitar të Morinit do të bëhet vetëm me një ndalesë,
njofton korrespondenti i “Kohës Ditore” nga Kukësi.
Të enjten, është
nënshkruar marrëveshja në nivel të ministrave të Brendshëm të Kosovës
dhe të Shqipërisë për qarkullimin kufitar. Marrëveshja e nënshkruar nga
Bajram Rexhepi dhe Bujar Nishani do të hyjë në fuqi vetëm pasi të jetë
nënshkruar edhe nga kryeministrat Hashim Thaçi e Sali Berisha.
Një
marrëveshje e tillë, “një ndalim, një kontroll”, është zbatuar në Morin
edhe gjatë verës së kaluar për të shmangur pritjet dhe radhët e gjata në
kufi. Marrëveshja qe ndërprerë në fund të sezonit.
Mirëpo, tani, pas nënshkrimit të marrëveshjes nga Thaçi e Berisha, kjo marrëveshje do të jetë e përhershme.
“Qarkullimi
i njerëzve dhe i automjeteve në kufirin Shqipëri-Kosovë si në
Morin-Vermicë, Qafë-Prushi dhe Qafë-Morinë të Tropojës do të behet me
metodën ‘Një ndalesë, një kontroll’ si në pikëkalimin kufitar me Malin e
Zi, Muriqan-Sugobinë, por ndryshe nga kjo e fundit policia do të
kontrollojë në dy ndërtesa, pikërisht në Vermicë dhe në Morin”, deklaron
për “Kohën Ditore” drejtori i Kufirit dhe i Migracionit për rajonin e
Kukësit, Agron Balia.
Sipas drejtorit Balia, i cili u referohet
pikave të marrëveshjes, policitë kufitare të Kosovës dhe ata të
Shqipërisë do të stacionohen bashkërisht si në Morin dhe në Vërmicë do
të ushtrojnë kontrolle të përbashkëta, por vetëm një herë. Shtetasit që
hyjnë nga Shqipëria në Kosovë do të kontrollohen vetëm në Vërmicë, por
ndryshe nga viti kaluar në kontroll do të jenë edhe policia e
Shqipërisë. Ndërkohë, shtetasit që hyjnë nga Kosova në Shqipëri do të
kontrollohen vetëm në pikëkalimin kufitar të Morinit ku, po ashtu, të
pranishëm do të jenë policitë e të dy vendeve.
“Ne rast se një
shtetas nga Kosova rezulton me probleme gjatë kontrollit në Morin ai do
të transferohet për në pikëkalimin e Vërmicës për veprime të mëtejshme. I
njëjti veprim do të bëhet edhe për shtetasit e Shqipërisë ne rast se
rezultojnë me probleme gjatë kontrollit në Vërmicë, ku veprimet ndaj
shtetasve të Shqipërisë do të kryhen në Morin”, sqaron në vijim drejtori
Agron Balia.
Marrëveshja e re po shoqërohet edhe me ndërhyrje në
infrastrukturë. Në pikëkalimin kufitar të Morinit po ndërtohet një rrugë
e re që do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve në këtë vendkalim
kufitar, kryesori që lidh Kosovën me Shqipërinë. Kontrollet e dyfishta
në pikëkalimin kufitar Morin-Vërmicë shkaktojnë radhë të gjata sidomos
ditët e vikendeve. Metoda “Një ndalesë, një kontroll” do të lehtësojë
qarkullimin e udhëtareve nga Shqipëria në Kosovë e anasjelltas që nga
viti në vit njeh një rritje me progresion të dukshëm.
Sipas
drejtorit të kufirit, Agron Baliaj, për muajt prill dhe maj numri i
udhëtarëve që kanë qarkulluar në kufirin Shqipëri-Kosovë ka qenë tri
herë më i lartë se e njëjta periudhë e vitit kaluar. Rritje të ndjeshme
gjatë këtij viti ka pësuar numri i udhëtarëve që kanë qarkulluar nga
Shqipëria në drejtim të Kosovës. Ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës-Morin ka
bërë që shumë vizitorë, kryesisht nxënës shkollash nga të gjitha
rajonet e Shqipërisë, veçanërisht të Shqipërisë Qendrore dhe të asaj
Jugore të vizitojnë Kosovën.
Projekti për kontrollin e përbashkët në
pikëkalimin Morin-Vermicë është hartuar në maj të vitit 2009 duke marrë
si shembull kontrollin në kufirin Shqipëri-Mali i Zi dhe pikërisht në
vendkalimin kufitar Muriqan-Sugobinë, i cili funksionon prej rreth tre
vjetësh. Ndërkohë, Qeveria e Shqipërisë ka miratuar në parim një
marrëveshje me Qeverinë e Kosovës për kontrolle të përbashkëta në pikat e
kalimit ndërkufitar Borje – Glloboçicë, Orgjost (Kukës) - Orqushë
(Dragash) dhe Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash) në zonën e Gorës
në kufirin Shqipëri-Kosovë ku aktualisht këto tri vendkalime kanë një
qarkullim të limituar që kufizohet vetëm për këmbësorë dhe kafshë
transporti.
Projektin për kontrollin e përbashkët në pikëkalimet
kufitare në mes Shqipërisë e Kosovës i kanë përshëndetur edhe Misioni i
Asistencës Policore i Komunitetit Evropian në Shqipëri PAMECA. Në
konkluzionet e monitorimit që ky mision ka realizuar në pikëkalimin
kufitar të Morinit për kushtet që duhet të plotësoheshin për të arritur
një marrëveshje për liberalizimin e vizave mes të tjerash
thuhet:”Marrëveshja bazë që shpreh vullnetin për një pikë të përbashkët
të kontrollit të kalimit të kufirit është një hap i madh përpara”.