Lidhja Demokratike e Kosovës adresoi një mori kritikash për Qeverinë e Kosovës në fushën e arsimit. Sipas LDK-së, testi i maturës provoi konkretisht dështimin e qeverisë.
Duke folur për njëqind ditët e para të qeverisë në fushën e arsimit, shkencës dhe të teknologjisë, zyrtarë të LDK-së theksuan se nuk pati asnjë investim kapital, asnjë aktivitet për t’u shënuar, nuk u bë as përpjekja më e vogël për të përmbushur prioritetet e Këshillit Kombëtar të Shkencës, nuk u përfillen dokumentet themelore të dikasterit.
“Qeveria nuk bëri asnjë investim në arsimin parashkollor. Madje, nuk tha që ka synim a program për të rritur përqindjen e përfshirjes në këtë nivel”, theksuan zyrtarë të LDK-së.
Sipas tyre, Qeveria vijon të mos ketë asnjë politikë për institutet kërkimore. “Instituti Albanalogjik nuk përkrahet për t’u ristrukturuar profesionalisht dhe vepron në paqartësi, pagat e punonjësve janë tepër të ulëta, subvencionet fare të pakta, mundësitë financiare për punë të përbashkëta me institucione të tjera të kësaj natyre as që ekzistojnë. Instituti i Historisë tash e tre vjet radhazi shantazhohet për objektin e vet. Instituti Pedagogjik vepron në kushte emergjente”, thanë ata.
“Qeveria shpalli se do të kemi tekste shkollore të përbashkëta me Republikën e Shqipërisë, pa e pasur të qartë se mund të jenë të nevojshme, por jo të domosdoshme, tekste të përbashkëta vetëm në disa fusha. Ndërsa, tash për tash, edhe një gjë e tillë është e pamundur, sepse Kosova dhe Shqipëria kanë kurrikula të ndryshëm në çdo kuptim, të ndryshëm do t’i kenë edhe pasi të fillojë të testohet kurrikuli i ri i ideve të patestuara të Ministrisë së Arsimit”, u shpreh përfaqësues të LDK-së.
Lidhja Demokratike e Kosovës e vlerëson si të domosdoshme që buxheti i këtij dikasteri të jetë dukshëm më i lartë, madje më i lartë se mesatarja evropiane, për t’iu afruar synimeve për një shkollë evropiane.
Po ashtu, sipas kësaj partie universitetet publike duhet të depolitizohen. Zyrtarë të kësaj partie adresuan edhe një mori kritikash tjera për nivelin e arsimit në Kosovë. /Telegrafi/